Transmetuar më 29-04-2017, 17:37
Publicitet

Në tenderin për dhënien me koncesion të zonës teknologjike dhe zhvillimit ekonomik, Spitallë, Durrës, janë paraqitur dy oferta, të cilat janë depozituar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pas hapjes së dosjeve, komisioni i shqyrtimit të ofertave vijoi punën me dokumentacionin me dyer të mbyllura.

Mësohet se ofertën më të më madhe e ka dhënë kompania Edil Al -IT me seli në Tiranë. Kjo firmë kërkon të zhvillojë këtë zonë me një investim rreth 91,3 milionë eurosh ndërsa synon të hapë 12,000 vende të reja pune. Edil Al synon ta zhvillojë këtë zonë për një afat kohor prej 8 vitesh (2017 – 2025).

Oferta e dytë është ajo e kompanisë Pelikan sh.p.k. Investimi i firmës nga Durrësi është për 12 vite (2017 – 2029), dhe ka një vlerë prej 38.9 milionë eurosh. Pelikan sh.p.k. thotë se do të hapë 2,500 vende të reja pune.

Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare.

Zona në studim shtrihet në afërsi me Porto Romanon (2.4 km), Portin e Durrësit (8 km), i cili është porti më i madh dhe i rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.

Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë.

Plani për zonën

Për zhvillimin e kësaj zone është miratuar edhe një plan i detajuar për lehtësitë fiskale që do të përfitojë investitori potencial, që kanë të bëjnë me: hyrjen dhe daljen e mallrave nga zona; reduktimin me 50% të masës së normës së tatimit mbi fitimin për zhvilluesin e zonës për pesë vite, e njëjta që do të përfitohet edhe nga ana e përdoruesve; për 3 vite zhvilluesit do t’i njihen si shpenzime të zbritshme 20% e shpenzimeve kapitale vjetore; projektet e ndërtimit brenda zonës do të përjashtohen nga taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, nga taksa mbi pasurinë, mbi kalimin e së drejtës së pronësisë; njohjen si të zbritshme të shpenzimeve për paga dhe kontribute, për trajnimin e punonjësve; për kërkim shkencor dhe zhvillim, transferimin e veprimtarisë ekonomike.

Zona parashikon llojet e aktiviteteve me veprimtari në fushën e industritë e reja me Teknologji Hi-Tech dhe inovatore, tregtare dhe magazinim mallrash, shërbime transporti dhe aktivitete logjistike. Zona nuk parashikon industri të rënda të cilat kanë ndikim negative mjedisor.