Transmetuar më 27-04-2017, 18:31

Në emisionin “You and Me” në NRG Radio i cili drejtohet nga Julka Gramo dhe Arjon Muça, ka ndodhur një situatë mjaft e këndshme. Bashkëshortes së këngëtarit të ndjerë Dr Flori, Blerinës i është rezervuar një surprizë.

Në redaksinë e radios kishte ardhur një letër, në të cilën tregohej historia e një nëne e cila humbi bashkëshortin e që sot po rrit e vetme dy fëmijë. Julka e ka lexuar këtë letër dhe në fund e ka mbyllur atë me një dhuratë për Blerinën, duke njoftuar se një biznes privat ka vendosur ti dhurojë asaj 10 mijë euro.

Moderatorët kanë telefonuar bashkëshorten e artistit të ndjerë për ti rrëfyer gjithçka. Në momentin e telefonatës ajo ndodhej pranë mikut të Dr Flori, Ermal Mamaqi dhe pastorit Fitor Muça, shkruan revistawho.com. Ajo është prekur nga ky veprim dhe ka falenderuar dhuruesin për këtë dhuratë.

“Jam ende shumë e emocionuar. Aktualisht jam duke blerë një shtëpi dhe lekët do ti shpenzojmë për shtëpinë tonë”, është shprehur Blerina, ndërsa ka shprehur falenderime të përzemërta për këtë gjest që i është bërë. /b.l/noa.al/