Transmetuar më 27-04-2017, 14:32
Publicitet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në një takim në Mejë të Gjakovës me rastin e 27 Prillit, ditës së të pagjeturve të Kosovës.

Thaçi tha se Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur në botë shënohet më 30 gusht, por në Kosovë ajo me të drejtë shënohet më 27 prill, në ditën kur forcat ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 377 qytetarë të pafajshëm në Mejë të Gjakovës.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës në themelet e saj ka gjakun dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve. Prandaj për dëshmorët dhe martirët e Kosovës nderimi institucional është i përjetshëm”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ai tha se do të përkulemi gjithmonë me respekt dhe pietet të thellë para secilit dëshmor dhe martir.

Sipas tij, liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë, nuk është e plotë pa dënimin e kriminelëve për personat e vrarë, të masakruar dhe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të varrosurve brenda dhe jashtë Kosovës.

Kreu i shtetit tha se vlerëson punën e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Por, sipas tij, familjet e personave të pagjetur me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e së vërtetës për më të dashurit e tyre.

“Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm nuk do të ndalen asnjëherë. Por, ajo çka mbetet jashtë mundësisë së ndikimit të institucioneve tona, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni serioze tek Beogardi zyrtar, i cili posedon arkivat dhe të dhënat e sakta të veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbe”, deklaroi Presidenti Thaçi. /a.y/noa.al