Transmetuar më 27-04-2017, 09:41

Kryeministri Edi Rama ka shkuar në zyrën e kreut të Kuvendit Ilir Meta, ku po zhvillojnë një takim kokë më kokë.

Ky takim i zgjatur afro gjysmë ore, vjen pak para mbledhjes së seancës së sotme parlamentare, ku pritet të mbahet raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit.

Më konkretisht raundi i tretë do të mbahet në orën 15.00, pas përfundimit të seancës së përjavshme parlamentare.

Dy raundet e para u dogjën, pa u konsumuar asnjë kandidaturë.

Mazhoranca nuk ka prezantuar ende asnjë kandidat për President, duke deklaruar se pritet pjesëmarrja e opozitës e cila ndodhet në protestë, por kreu i saj Lulzim Basha ka dalë me një propozim të ri, duke kërkuar që kreu i Shtetit të zgjidhet nga populli.

Zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh. /a.y/noa.al