Transmetuar më 26-04-2017, 12:37

Duhet vetëm t’i drejtohemi emigrimit për të edukuar rininë, e cila gjithsesi ende nuk ka një arsye për t’u kthyer e t’i shërbejë vendit të saj.

Nga Edmond Arizaj

Kjo krizë politike, ashtu si shumë të tjera në këtë vend, do të marrë fund. Nëse do të marrë fund, duke gjeneruar të reja, duke risjellë në skenë të vjetra, apo duke e futur Shqipërinë në rrugë të panjohura të jokrizës, kjo mbetet për tu parë. Por një gjë është e sigurtë, madje shumë e sigurtë: Ashtu si simotrat e saj në këto 27 vite, kjo krizë nuk solli asgjë më të mirë për të ardhmen, të rinjtë. Dikur në kriza të rënda si ajo e 1991-1992, 1996-1997, 1998-1999, 2000-2001 etj, (s’paskemi pas një vit pa krizë?!) thuhej pikërisht nga autorët dhe bashkautorët e krizave: të përpiqemi për të ardhmen, për të rinjtë. Të rinjtë e atëhershëm, sot janë bërë moshë e mesme dhe dëgjojnë sërish të njëjtat “broçkulla”. Pse them “broçkulla”? Sepse krizëbërësit shqiptarë, të çdo lloji, si ata që flasin, si ata që shkruajnë, si ata që dëgjojnë, si ata që nuk u punon asnjë shqisë, kanë punuar, apo kanë qëndruar indiferentë, duke marrë pjesë aktive, o pasive, në zhbërjen e tre shtyllave të themelit ku duhej të ndërtohej një ardhme për të rinjtë shqiptarë.

Familja. Është sulmuar në mënyrë periodike, të ashpër, të dhunshme. Roli i familjes, i nënës më së shumti, në edukimin e të rinjve, është barazuar me rolin e një kafshe, e cila mund të marrë e të rrisë edhe këlyshin e femrës tjetër, mjaft të jenë në të njëjtën tufë. Kujtoni këtu fushatën për adoptimin e fëmijës nga familjet homoseksuale, ku realisht nuk di të them si mund të luhet roli i nënës, nga dikush që heq vullnetarisht dorë për të qenë e tillë. Nga ana tjetër, krizat e herëpashershme, të shoqëruara me largime masive nga vendi, të njërit, apo tjetrit prind, kanë sjellë dashur, pa dashur, keqformimin në edukim, pamundësi edukimi, apo më e keqja, keqedukim. Nëna që kryejnë dhe rolin e babait, apo që shiten, në kuptimin realist të fjalës, për të siguruar të paktën ushqimin e fëmijës, janë jo pak. Të mos flasim për divorcet e shtuara, apo për martesat e çuditshme, ku një vajzë mund të bëhet grua dhe nënë sapo i vijnë periodat për herë të parë, e në vend të pyesë të jëmën se çfarë janë “ato”, i jep në dorë fëmijën, e bën gjyshe në moshën 35 vjeçe. Çdo të ndodhë me këtë vajzë në moshën 25 vjeçe? Përgjigjen e kemi prej vitesh në gjykata, në hotelet-burdello, apo në rrugët e Italisë. Ne thërrasim sot familja, familja, por për cilën familje e kemi fjalën? Për cilën nënë? Për atë të ngarkuarën me dru si gomar? Për atë që e gjakos burri çdo darkë në sy të fëmijëve? Për atë që nuk konkurron dot për punë se nuk i ka shalët e bukura? Për atë që shkon e vjel duhan, apo hashash, sepse e ka burrin invalid me 30 mijë lekë ndihmë sociale? Në 27 vjet, ne vetëm sa e kemi tulatur, ofenduar, prangosur rolin e nënës e të familjes. Dhe sot çuditemi me gjithë ç’ndodh rrotull. Jemi bashkautorë në krim.

Mësuesia. Sa të rrallë i kemi sot mësuesit. Ata që e dashurojnë profesionin e edukimit. Ata që i duan fëmijët. Ata që vërtetë i bëjnë të rinjtë të kenë ego, ëndrra, dëshirë, pasion, nder dhe respekt. Jo. Ne i kemi masakruarit mësuesit. Nuk i kemi vrarë sigurisht, megjithëse edhe kjo ka ndodhur, por i kemi turpëruar, i kemi denigruar, i kemi përdorur, i kemi zhgërryer në pluhurin e gjasme-demokracisë. I zëvendësuam me besnikë partie. I zëvendësuam me injorantë. I zëvendësuam me hajdutë. I zëvendësuam me të paaftë. I zëvendësuam me xhahilë. I godasim. I shajmë. I pështyjmë. I poshtërojmë. U kërkojmë llogari. I trajtojmë si punonjës komunale (me gjithë respektin). Nuk pyesim për ndjesitë e tyre kur të rrethuar nga mijëra padrejtësi, nga frika e papunësisë, nga pasiguria e të ardhmes nëse nuk rreshtohen në partinë e duhur, i bërtasin një fëmije, qoftë edhe i japin një shpullë në mes të klasës. Ne e hedhim menjëherë në kafazin e hienave, që të shqyejnë e të hanë pa të mbytur. Atëherë ç’kanë bërë mësuesit? E lanë misionin e tyre fisnik, edukimin dhe mësimin e brezave dhe u sollën si të gjithë ne: luftë për mbijetesë. Pooo. Mund të mbijetojmë, por nuk do kemi një të ardhme. Duhet vetëm t’i drejtohemi emigrimit për të edukuar rininë, e cila gjithsesi ende nuk ka një arsye për t’u kthyer e t’i shërbejë vendit të saj. Është vajtuese gjendja ku e kemi çuar sot mësuesinë. Ta detyrojmë të bëjnë “kurse private” për të siguruar jetesën!!! Ta detyrojmë të mbajë pankarta në duar nëpër mitingje partish, e të shënojë emrin në regjistra injorantësh besnikë, që të mbajë vendin e punës. Ta detyrojmë të rrijë në rresht e të duartrokasë teksa flet më i/e fundit idiot/e…për të ardhmen. Në vend që t’i ndërtojmë laboratorë, ti japim materiale shkencore, t’i krijojmë kushte konkurrueshmërie e shpërblimi. Ku i kemi akademikët? Ku i kemi shkencëtarët? Ku i kemi zbulimet? Ku i kemi konkurset? Ku i kemi olimpiadat? Gjithçka është kthyer në shërbim partiak. Kush e di sa vite do na duhet të pastrohemi nga ky kancer që e ka zënë mësuesinë e pedagogjinë për fyti e metastazat ia ka dhënë në çdo cep të trupit. E ardhmja? Shpresa…

Shembulli. E kemi zhdukur. Kemi punuar aq fortë për ta mbytur shembullin, për ta vrarë, për ta pasur zili. A keni vënë re diçka tragjike: Në emisione televizive, të ndjekura, kur janë të ftuar fëmijët u bëjnë pyetje që lidhen në shumicë me politikën. Kush politikan të pëlqen? E njeh xhaxhi Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën? Të pëlqen të bëhesh kryeministër, deputet? Etj të tilla. Fëmijët i shohim në duart e politikanëve, në prehër, në qafë, duke shëtitur. A nuk u kalitet kulti i individit që kur janë ende të vegjël?! Ç’bënte më shumë Enver Hoxha me të tijtë? Kë shkencëtar njohin sot fëmijët? Kë shpikës? Kë kultivues? Kë biznesmen nga hiçi? Kë manipulues elektronik? Kë sportist? Kë artist? Kë gjeni matematike? Kë fizikant me të ardhme? Mor po qoftë edhe një “superhero”, një “merimangë”, “lakuriq nate”, nga ata që i shohin përditë në ekran dhe u duken aq të largët. Porn ë vend të tyre, edhe në “emisionet për fëmijë” edhe në “programet e humorit” do të jetë I ftuar një politikan që flet për të ardhmen e fëmijëve dhe pas dy javësh akuzohet për vjedhje, vrasje, grabitje, prostitucion. Dhe ky është shembulli që kemi dhënë prej 27 vjetësh. E sot çuditemi. Pse kërkojnë të rinjtë të pasurohen menjëherë duke rrezikuar jetën, apo duke u larguar nga vendi. Nuk u kemi dhënë një shembull pune, konkurrueshmërie, vullneti, dëshire, dije, mësimi. U kemi dhënë veç shembullin e vjedhësit, vrasësit, lakuriqësisë, fitimit…dhe nëse të gjitha këto nuk shkojnë mirë me njëra tjetrën, le të mos mërziten se do vijnë të huajt e të na i zgjidhin. Ne veç të vazhdojmë të bëjmë shqiponjën në gjoks e të këndojmë “o sa mirë me qenë shqiptarë”. Pikëpyetja ime e madhe është: A kemi më një shoqëri, që nuk bazohet veç tek fitimi, interesi, partia dhe krimi?