Transmetuar më 25-04-2017, 11:41

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për autorin e dyshuar të vrasjes së Ergys Gjioveshajt dhe plagosjen e tre personave të tjerë mbrëmjen e 20 prillit 2017 në një lokal pranë Lungomares.

Gani Tozaj, 19 vjeçari u arrestua mëngjesin e 21 prillit në banesë, në zonën ku ndodhi vrasja rreth 500 metra larg vendit të krimit. Në momentin e arrestimit policia konstatoi atletet e 19 vjeçarit që i kishte me gjak.

Vrasja në lokal ndodhi pas një debati që nisi me një shpullë dhe degjeneroi në përplasje me armë. 18 gëzhoja u gjetën në vendin e vrasjes dhe 6 plumba në trupin e viktimës. Për atë vrasje është në kërkim edhe Aranit Kondaj, 37 vjeç.

Ngjarja

I riu që u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Ergys Gjioveshaj në Vlorë ka deklaruar në polici se nuk kishte njohje me viktimën. Gani Tozaj u ka thënë hetuesve se para se të qëllonte Gjioveshaj kishin patur një përplasje verbale.

Gani Tozaj ka treguar në policinë e Vlorës se qëlloi me pistoletë në drejtim të Gjioveshaj pas një sherri verbal. 19 vjeçari ka qenë në tavolinë me Aranit Kondaj në kohën kur në tavolinën e tyre erdhi viktima Ergys Gjioveshaj. Pasi debatuan për disa minuta, 33-vjeçari qëlloi me pëllëmbë njërin nga personat që ndodhej me autorët e dyshuar.

Mësohet se nga tavolina e Ganiut janë nxjerrë armët dhe është qëlluar 33-vjeçari Gjioveshaj, por sipas policisë edhe një nga shokët e viktimës ka shtënë me armë zjarri. Tozaj ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk kishte njohje me viktimën.

Gjioveshaj ka humbur jetën brenda pak sekondave duke dalë nga ambientet e lokalit ku kishte muzikë live. Kamerat e sigurisë kanë ndihmuar policinë që të identifikojë autorët e dyshuar brenda 24 orëve. /b.l/noa.al/