Transmetuar më 25-04-2017, 10:09

Protesta e Partisë Demokratike u bë pjesë e diskutimeve në takimin e bordit drejtues të Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt këto dy ditë në Bruksel nën kujdesin e Presidentes Doris Pack.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi raportoi rreth zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri dhe shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, standard themelore të çdo shoqërie europiane.

Deputetja demokrate i denoncoi atë që e quajti kriminalizimin e Parlamentit dhe të qeverisjes, kanabizimin e Shqipërisë dhe përgatitjet për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës.

Vokshi falenderoi Presidenten e Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack për mbështetjen e protestës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga ana e saj Doris Pack shprehu shqetësim për qeverisjen e lidhur me krimin në Shqipëri dhe qortoi heshtjen e diplomatëve të huaj. Ajo kritikoi qëndrimin e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Tiranë.  

“Ajo çfarë po ndodh në Shqipëri aktualisht është një çmenduri. Vendi i mbushur i gjithi me drogë, një rrezik jo vetëm për kthimin e Shqipërisë në vend kryesor për prodhim dhe eksport droge, por për mjedisin ku rriten fëmijët shqiptarë”, u shpreh Pack.

Sipas saj, në Parlament dhe administratë mbahen me dhjetëra persona me rekorde kriminale se kanë paguar për pushtetin e Edi Ramës, ndërkohë profesionistët hiqen nga puna për bindje politike.

Ajo përgëzoi liderin e PD-së për manifestimet paqësore dhe shprehu bindjen se në kushtet aktuale ku ndodhet Shqipëria, krijimi i qeverisë teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet zgjidhja e vetme.

Pack përshëndeti kërkesën për zgjidhjen e situatës me ndihmën e Partisë Popullore Europiane dhe shprehu besimin e plotë se Zv Presidenti i Parlamentit Europian David McAllister si ndërmjetësi i duhur për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.‎