Transmetuar më 24-04-2017, 19:00

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i është drejtuar sot me një letër publike Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pas shqetësimeve të këtij të fundit se asgjësimi i kanabisit në vend është bërë pa procesverbal, dhe në mungesë të prokurorit.

Në letrën e shpërndarë për mediat, kreu i ministrisë së Brendshme shprehet kritik me Adriatik Llallën kur i sjell në vëmendje dy raporte të organit të akuzës në vitin 2016, për gjendjen e kriminalitetit, dhe në asnjë prej tyre nuk përmendet shqetësimi i bërë publikisht nga Kryeprokurori.

“Iu referova edhe dy raporteve tuaja për gjendjen e kriminalitetit, të paraqitura në vitin 2016 dhe në fillim të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë dhe në të gjitha faqet e atyre raporteve, që shpjegojnë shumë detaje, nuk gjendet asnjë rresht i vetëm lidhur me këtë akuzë të artikuluar publikisht nga Ju disa ditë pasi keni paraqitur raportin tuaj në Kuvend!”, thuhet në letrën e Xhafajt.

Ministri shkon edhe më tej, kur shprehet se deklarata të tilla, cenojnë frymën e bashkëpunimit mes institucioneve.

“Deklarata juaj e përcjellë në këtë mënyrë çmoj se cënon frymën  pozitive të besimit dhe bashkërendimit të punës, që ne kemi diskutuar e jemi dakortësuar të kultivojmë në punën e përbashkët të prokurorëve edhe strukturave të policisë gjyqësore, në përpjekjet e përditshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike”, shkruan ministri Xhafaj. 

Duke iu referuar takimit të pak ditëve më parë me z. Llalla, ministri Xhafaj i kërkon kreut të akuzës se përse nuk e shprehu këtë shqetësim në prani të tij.

“Ky fakt nëse mbetet i provueshëm dhe i vërtetë, së pari më bën përshtypje se përse nuk u diskutua në takimin e përbashkët e nuk gjen asnjë gjurmë të ndonjë komunikimi zyrtar të mëparshëm mes dy Institucioneve. Shkeljet e pretenduara prej jush publikisht, për më tepër si tërësi praktike, kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative”, thuhet më tej në letrën, që noa.al citon.

Ministri i Brendshëm i kërkon Kryeprokurorit Llalla që të evidentojë shkeljet në radhët e policisë dhe e garanton se do të marrë çdo përgjegjësi institucionale.

Çështja e asgjësimit të kanabisit pa procesverbal, dhe në mungesë të prokurorit, është denoncuar në Parlament edhe nga numri dy i LSI-së, Luan Rama. /k.k/noa.al/