Transmetuar më 24-04-2017, 17:55

Pas protestës së opozitës ditën e sotme, që u shoqërua me bllokim të 5 akseve rrugore në intervalin kohor 11:00-12:00 ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Përmes një deklarate për mediat, policia thotë se protesta ishte paqësore dhe nuk pati asnjë incident.

Megjithatë, Policia e Shtetit thotë se do të nisë procedimet penale për deputetë të Partisë Demokratike që udhëhoqën këtë protestë, pasi ishte e paligjshme. “Protesta e sotme e opozitës, u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u  lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse.

Përgjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkeljet e ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve, konkretisht shkelje konform nenit 262 të Kodit Penal ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ si dhe  nenit 293 të Kodit Penal ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’”, ”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Për këtë arsye Policia informon se po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale, këto veprime do t’u paraqiten Prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale. Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar, megjithë pengesat e vështirësitë që patën gjatë bllokimit të rrugëve. /b.l/noa.al/