Transmetuar më 24-04-2017, 12:05

Pas një ore protestë të ulur këmbëkryq në rrugë, nga sheshi “Shqiponja” në hyrje të Tiranës, kreu i opozitës Lulzim Basha ftoi qytetarët që të mbyllin protestën paqësisht dhe të mos bien pre e provokimeve.

“Qindra qytetarë janë bashkuar me paqe dhe me kulturën më të thellë kombëtare, që tregon vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar lirinë krimit dhe drogës. Për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike, e cila do largojë kriminelët nga institucionet sipas ligjit për dekriminalizimin, që do krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do krijojë kushtet për votim e numërim elektronik dhe zbatimin e vettingut”, deklaroi Basha para protestuesve.

Ai uroi që Zoti t’i bekojë shqiptarët për atë që e quajti sakrificë, duke thënë se ky është një paralajmërim se vendosmëria e lëvizjes popullore dhe bashkimit qytetar është e pathyeshme, për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Ju ftoj ta përmbyllim këtë protestë me qetësi dhe paqe dhe pa ju përgjigjur asnjë provokimi me himnin tonë kombëtar”, tha në mbyllje Lulzim Basha.

Protesta kulmoi në sheshin “Shqiponja”, ku përgjegjës ishte deputeti Edi Paloka.

Pikë tjetër ku pati bllokim ishte kryqëzimi i shkollës Teknologjike në Tiranë, me përgjegjës deputetin Flamur Noka.

Rrethrrotullimi i Plugut, në Lushnje, kishte si përgjegjës deputetin Arben Ristani.

Tek rrethrrotullimi i Rrugës së Kombit në Milot, përgjegjës ishte Aldo Bumçi.

Ndërsa tek rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, përgjegjës ishtë Edmond Spaho. /a.y/noa.al