Transmetuar më 24-04-2017, 08:11

Kryeministri Edi Rama uron “mirëmëngjes” me imazhin e një policeje rrugore, të cilën e quan si një prej “engjëjve mbrojtës” të rregullit në rrugët e vendit. Ky mesazh i kreut të qeverisë vjen pas thirrjeve të kryedemokratit Lulzim Basha për të protestuar duke bashkuar rrugët.

“Ermela Lika, pasi ka kryer me rezultate të shkëlqyera Akademinë e rilindur të Sigurisë është bërë pjesë e Policisë që duam bashkë me 888 gratë dhe vajzat me gradë, të cilat i janë bashkuar forcave të rendit tre vitet e fundit. Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, që me përkushtimin dhe profesionalizimin e saj apo të tij, ka bërë të mundur kthimin e besimit të qytetarëve tek uniformat blu”, shkruan Rama në Facebook.

Më tej ai shton se shumë është bërë, por se ende më shumë mbetet për t’u bërë.

Por sipas tij, shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot.

“Prandaj përpara për Shqipërinë që duam me shtet, punë, mirëqenie”, mbyll Rama postimin e tij.

Komenti i Kryeministrit vjen ndërsa sot Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë dhe bllokimin e akseve rrugore kombëtare nga ora 11.00- 12.00. /a.y/noa.al