Transmetuar më 21-04-2017, 17:32

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur edhe njëherë vendosshmërinë lidhur me qeverinë teknike. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook Basha ka deklaruar se beteja e PD është edhe për Europën, edhe për Amerikën, sepse është betejë për vlerat e përbashkëta dhe për sigurinë e përbashkët.

“Beteja jonë për zgjedhje të lira, për demokraci të vërtetë dhe për një Shqipëri të lirë nga droga dhe krimi, nuk është vetëm për fatin e shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është betejë edhe për Evropën, edhe për Amerikën, sepse është betejë për vlerat e përbashkëta dhe për sigurinë e përbashkët”, shkruan Basha.

Më tej ai shton se një Shqipëri e sigurt, kontribuon për një Evropë të sigurt. Një Shqipëri demokratike dhe e fortë kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike.

“Një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, me një qeverisje të kapur nga krimi sjell pasiguri për Evropën dhe kthehet në konsumator të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria, demokracia dhe mirëqeverisja janë të vetmet garanci për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien, për sot dhe për nesër”, përfundon Basha. /b.l/noa.al/