Transmetuar më 21-04-2017, 16:40

Të hënën për rreth 1 orë, duke nisur nga ora 11 deri në orën 12, protestuesit e Partisë Demokratike do të bllokojnë superstradën që lidh Tiranën me Shkodrën, përkatësisht në rrethrrotullimin në Fushë Milot, ku lidhet pothuajse gjithë veriu me kryeqytetin.

Gjithashtu, protestuesit e Partisë Demokratike do bllokojnë qarkullimin e automjeteve dhe ne sheshin shqiponja në Tiranë, një ndër akset kryesore hyrëse dhe dalëse në kryeqytet për veriun dhe jugun. Bllokim të akseve e rrugorë do të ketë dhe në Lushnjë përkatësisht autostradën që e lidh këtë qytetet me Fierin në rrethrrotullimin e Plugut.  

Ndërkohë protestuesit e Partisë Demokratike do të bllokojnë dhe autostradën që lidh Elbasanin me Rrogozhinën në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Protesta u paralajmërua nga Basha një ditë më parë.

“Ditën e hënë, gjithë qytetarët shqiptarë bashkohemi midis orës 11 dhe 12 në bllokimin total të trafikut kombëtar në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Basha.

Ndërkohë deputeti socialist, Taulant Balla komentoi nga Librazhdi deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për bllokimin e rrugëve.

“Lojërat e vitit 1997 dhe rreziqet që ato mbartin në vetvete, nuk duhen rikthyer më në Shqipëri. Shqiptarët nuk meritojnë të kenë drejtues politik të cilët vënë interesin e tyre politik mbi interesin e Shqipërisë, sepse interesi politik i Bashës sot është mospjesëmarrja në zgjedhje për shkak të frikës nga Vettingu dhe frikës nga rezultati i zgjedhjeve. Të kesh frikë nga vota e popullit do të thotë të mos dish të respektosh popullin tënd, atë popull që të jep mandatin për të qeverisur”, deklaroi Balla.

Më tej ai theskoi se edhe pse nuk i merr seriozisht deklaratat e Lulzim Bashës do t'i thojë se është mirë të mos i çojë ndërmend ato deklarata të papërgjegjshme që sipas Ballës ai i hedh si shashka.

“Shqiptarët sot kanë nevojë për vende pune dhe kush është kundër Vettingut është kundër vendeve të punës së shqiptarëve; kush është për qeveri teknike është kundër ekonomisë së Shqipërisë, çka do të thotë sërish kundër vendeve të punës. Të mos ta çojë ndërmend Lulzim Basha të bllokojë rrugët. Shqiptarët kanë plot halle, njerëzit duhet të shkojnë në punë, në shkollë apo në spitale. Çdo përpjekje për destabilizim është kundër interesave të Shqipërisë”, thotë Taulant Balla. /b.l/noa.al/