Transmetuar më 21-04-2017, 12:27

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, inspektoi sot nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës “Dalip Topi”, në zonën e Kodrës së Priftit në Njësinë Nr. 3.

Veliaj i siguroi qytetarët se gjatë këtij viti, institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet kryerjen e investimeve kapilare në çdo lagje.

“Bashkia e Tiranës ka një moto: Çdo ditë nga një punë konkrete. Puna konkrete për ditën e sotme është rruga “Dalip Topi”. Tirana është shtëpia e të gjithëve, do të thotë që është edhe shtëpia e tropojanëve, edhe e korçarëve, por edhe e tiranasve autoktonë. Do të thotë që me këtë shumëllojshmëri popullsie që në lagjet ku jetojmë, ajo që na bën bashkë është rregulli, rregullat komunitare, rregullat urbanistike dhe hapësirat publike që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla dhe se tashmë është detyrë e Bashkisë që të urbanizojë këto zona.

Sipas tij, në një vit është ecur disa herë më shpejt krahasuar me më parë.

Veliaj siguroi qytetarët se puna nuk do të ndalet as në muajt e verës në kryeqytet, ku fokusi i punës së bashkisë do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe ofrimi i shërbimeve cilësore.

“Pavarësisht se qyteti, ashtu si e gjithë Shqipëria, do të hyjë në fushatë zgjedhore, kjo nuk do ndikojë aspak në punën e Bashkisë së Tiranës. Siç kemi punuar çdo ditë me një punë konkrete, kështu do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, teksa përgatisim kopshtet, çerdhet, shkollat për fillimin e vitit të ri akademik. Jemi të fokusuar te puna dhe besoj se Tiranën e kemi çuar në drejtimin e duhur dhe do të mbajmë këtë ritëm”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Duke siguruar ruajtjen e të njëjtit ritëm në investimet e kryeqytetit, Veliaj deklaroi se cilësia e tyre do të jetë e njëjtë si në qendër, ashtu dhe në zonat rurale.

Në rrugën “Dalip Topi” Bashkia e Tiranës parashikon sistemimin e ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e mureve mbajtës. Përveç asfaltimit është projektuar edhe pajisja e rrugës me ndriçim e sinjalistikë, si dhe gjelbërimi i saj. /a.y/noa.al