Transmetuar më 21-04-2017, 08:13

Emisioni “Fiks Fare” solli në vëmendje të publikut sesi mashtrohen pacientët-klientë nga sallone bukurie, ku bashkë me lyerjen e thonjve dhe krehjen e flokëve, u ofrohet edhe mbushja e buzëve me silikon dhe mbushja e rrudhave me botoks.

Injektimi i acidit hialuronik, “fillers”-at dhe botoksit nga njerëz jo profesionistë dhe dëmi që shkaktojnë në fytyrat e klientëve është i parikuperueshëm. Në “Fiks Fare”, mjekët profesionistë folën dhe denoncuan këtë fenomen abuziv, për të cilin ende nuk ka një bazë ligjore për ta goditur apo rregulluar.

Vitet e fundit dëgjojmë gjithmonë e më shpesh se, në parukeri apo qendra estetike të ndryshme ofrojnë shërbime bukurie të estetikës kirurgjikale, që sipas mjekëve duhen bërë nga profesionistë. Por pavarësisht thirrjes së mjekëve, asgjë nuk ka ndryshuar. Ankesa të ndryshme mbeten anonime dhe nuk denoncohen, pasi sot duket sikur rezultati i dalë keq është në modë.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa nga këto qendra estetike dhe parukeri, të cilat ofrojnë të njëjtin shërbim: fryrje të buzëve, “fillers” të rrudhave apo mbushje dhe sistemim të vetullës.

Te “Pallatet Agimi”, në një qendër estetike bëhen nga një person që nuk është i pranishëm në qendër dhe nuk ka një emër, por që është mik i parukieres. Të bën fryrje të buzëve me botoks. Ndërhyrja zgjat disa minuta, ashtu siç tregon edhe recepsionistja. Takimi lihet nëpërmjet telefonit, vetëm në rastet kur e ke vendosur që do ta bësh ndërhyrjen.

Në një tjetër parukeri ofrohet një tjetër mënyrë. Në buzë të injektohet një “fillers” i përhershëm, që nuk është i tretshëm. Kjo bëhet nëpërmjet një mpirjeje lokale, pa të sqaruar se çfarë është produkti që do të të injektohet.

Po këtë shërbim ta ofrojnë në një tjetër parukeri në zemër të bllokut. Pronarja sugjeron që ndërhyrja të bëhet nga një mikesha e vet. Sipas saj, ajo realizon ndërhyrjen në buzë me një material të ngjashëm me silikonin, të cilin e cilëson si të përjetshëm. Mikesha nuk është mjeke, por e ka mësuar si procedurë në Peru.

Ndërsa në një tjetër qendër pranë “Komunës së Parisit”, këto injektime si me botoks, silikon apo acid hialuronik, bëhen nga një mjek italian pa identitet, të cilin e gjen vetëm një herë në muaj në qendër. Dhe kjo, falë miqësisë që pronarja ka me mjekun italian, pasi siç ajo vet shprehet, mjeku “i famshëm” ka rreth 5.000 klientë në Itali.

Mjekët profesionistë: Injektimi i gabuar i botoksit, paralizë të nervit racial

Procedura e injektimit të acidit hialuronik apo botoksit duhet bërë nga mjekë të licencuar, edhe pse ofrohet si shërbim për një çmim më të lirë diku tjetër që nuk është klinikë. 

Nga emisioni i ‘Tch’ u intervistuan tre mjekë të kësaj fushe, të cilët e dënojnë dhe denoncojnë këtë fenomen, i cili është përhapur shpejt.

Sipas mjekes dermatologe Erjona Shehu, rëndom këto ndërhyrje që quhen të vogla bëhen nga njerëz jo profesionistë.

“Po flasim për individë që nuk ia kanë idenë se nga çfarë përbëhet lëkura, zona të caktuara të fytyrës etj. Pra janë njerëz jo kompetentë për aplikimin e këtyre produkteve. Na është dashur që në klinikat tona të kemi parë individë, që kanë bërë ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale, apo kanë marrë medikamente të tjera, për të shmangur apo korrigjuar dëmet që janë bërë në fytyrat e tyre nga njerëz jo profesionistë”, thotë Shehu.

Por në vende të tjera ka ligje që e rregullojnë këtë situatë, kurse te ne ligji mungon.

Doktoresha Erjona Shehu dëshmon se në klinikat e tyre, shumë shpesh vijnë paciente që kanë bërë një injeksion në një parukeri dhe nuk e dinë se çfarë produkti i është injektuar. Nuk marrin përgjigje as kur lidhen me personin që ia ka bërë ndërhyrjen. Thjesht përcillen vetëm me togfjalëshin “produkt italian” apo “amerikan”.

Kirurgu plastik, Dr. Vladimir Filaj sqaron për “Fiksin” se në klinikën e tij, pacientet ka raste vijnë me deformime të mëdha, nga buzët e deri te mollëzat apo vetullat.

“Injektimi i gabuar rrezikon të prekë enë apo nerva dhe mund të japë dëmtime shumë të rënda. Në arterie apo në vena nuk mund të injektohet acidi hialuronik. Duke mos njohur anatominë e kësaj zone ku punohet, arrihet në komplikacione shumë të rënda. Ajo që është më e rrezikshme dhe që vëmë re nga klientët, janë produktet që nuk janë të tretshme. Logjikisht duhet të futen në mënyrë të paligjshme”, pohon doktori.

Sipas tij, botoksi është i njohur botërisht dhe ka efekte të mrekullueshme, por nuk duhet harruar që është një toksinë. Gjatë injektimit nuk duhet të kalojë në overdozë, pasi ka efekte katastrofike. Mund të japë paralizë të nervit facial. Mund ta rrëzojë një vetull më poshtë dhe për korrigjimin e kësaj duhet të pritet deri 3-4 muaj, apo edhe 6, për të ndërhyrë.

Gazetarët iu drejtuan edhe Prof. Dr. Besim Boçi, i cili është njëkohësisht edhe shef i Shërbimit të ORL-së pranë QSUT-së. Doktori bën thirrje që pacientet duhet të informohen mirë përpara së të bëjnë një ndërhyrje në trupin apo fytyrën e tyre. Të informohen mirë mbi mjekun, historinë  e tij, si dhe të kërkojnë informacion të plotë për materialin që do t’iu injektojnë.

Mjekët: Po shfrytëzohet mungesa e një baze ligjore

Në emision u ngrit edhe problemi i mungesës së ligjit për këtë lloj shërbimi. Sipas mjekëve, persona abuzivë janë duke përfituar pikërisht nga kjo mungesë ligjore, për të ngrohur xhepat e tyre në dëm të klientëve.

“Një situatë e tillë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme”, shprehen profesionistët. Në vendet e Europës është e përcaktuar qartë sesi funksionin ky shërbim, që nga lloji i produkteve të përdorura e të lejueshme, e deri te mënyra sesi transportohen.

Sipas mjekëve, mjafton të merret në konsideratë një ligj i Bashkimit Europian dhe lehtësohet situata e krijuar në vendin tonë, sidomos në të mirë të pacientit.

Sa iu përket pagesave për këto shërbime në parukeri e qendra estetike janë si më poshtë:

Mbushje buzësh me silikon: 200-300 euro

Mbushje rrudhash me silikon: 50-200 euro

Fryrje buzësh me acid hialuronik: 50-200 euro

Vetulla Tatu: 200 euro

Ngritje vetulle: 150 euro

Ngjyrosje buzësh: 150 euro