Transmetuar më 20-04-2017, 10:47

I zhdukur qysh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një i moshuar në Kavajë ka humbur çdo kontakt.

Familjarët e tij i janë drejtuar agjencisë së lajmeve Noa.al, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Mbesa e tij Silvana, thotë se gjyshi Nexhip Minga 80 vjeç, nga fshati Gosë, ka humbur qysh prej paradites së djeshme dhe pavarësisht denoncimit në polici nuk është gjetur.

“Doli në mëngjes në fshat, u përshëndet me disa banorë dhe u zhduk pa gjurmë. Dyshojmë se mund të ketë ikur diku pasi thoshte shpesh ‘kjo nuk është shtëpia ime, do iki në shtëpinë time’. Ai vuan nga skleroza dhe kemi frikë për çfarë mund t’i ketë ndodhur”, thotë mbesa e tij.

Më tej ajo shton se shtëpia ku jetojnë ndodhet pranë rrugës së vjetër ku kalon korsia e autobusëve që drejtohen drejt Durrësit dhe Tiranës, duke dyshuar se mund të ketë hipur në ndonjë mjet dhe të jetë larguar.

Po ashtu Silvana thotë se nuk e kanë gjetur askund në Gosë dhe se nuk kanë lënë vend pa e kërkuar dhe as tek të afërmit.

Duke treguar se janë me origjinë nga një fshat i Tepelenës, mbesa e 80- vjeçarit thotë se as atje nuk është gjetur. Ai është i gjatë 170 cm, me trup mesatar, mban kapele të zezë në kokë dhe ditën që është larguar ka pasur veshur një pallto të zezë.

Familja Minga lë numrin e kontaktit 0696564354, për këdo që mund ta ketë parë gjysh Nexhipin dhe kërkojnë ndihmën e qytetarëve. /a.y/noa.al