Transmetuar më 19-04-2017, 15:12

Kreu i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryeministri Edi Rama ka akuzuar PD-në në lidhje me rrëzimin e kërkesën nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicionit.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook Rama e ka quajtur shprehje vullnet mirë ndaj PD-së kërkesën që PS dhe LSI bëri në KQZ për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

“Kërkesa KQZ-së është e koalicionit PS-LSI & etj., si shprehje vullnetmirë ndaj PD&Etj. Po asnjë merak nëse ne me bukë e ata me gurë deri në fund”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërsa më herët anëtari i KQZ-së Klement Zguri u shpreh se kërkesa drejtuar KQZ-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicionit nga Gramoz Ruçi dhe Luan Rama në emër të PS dhe LSI është jo legjitime, pasi personat që kanë bërë kërkesën nuk kanë autorizimin përkatës.

“Kërkesa për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore nuk është legjitime, pasi personat që kanë bërë kërkesën nuk kanë autorizim për kërkesë. Përmbajtja e letrës prek zgjedhjet dhe i prish ato. Sot është data ligjore për të përfunduar regjistrimi i koalicioneve dhe nuk mund të ketë datë tjetër përveç asaj që parashikon Kodi Zgjedhor”- ka thënë Klement Zguri.

Në një letër drejtuar KQZ-së, nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, thuhet se “Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin”. /b.l/noa.al/