Transmetuar më 14-04-2017, 14:27

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se Plani i ri Vendor është “paja” më e mirë për kryeqytetin. Duke folur sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, Veliaj deklaroi se do të fillojë pa humbur kohë edhe puna për zbatimin e tij.

“Vërtet plani u bë në kohë rekord, por ju garantoj që nuk ka humbur aspak cilësinë. Përkundrazi, ne kemi punuar në mënyrë paralele që teksa arkitektët dhe urbanistët tanë punonin me planin, ne kemi bërë 24 dëgjesa në të gjitha njësitë bashkiake, një pjesë e madhe e rekomandimeve e kërkesave janë reflektuar në plan dhe në total rreth 100 dëgjesa me grupe të interesit”, tha ai

Duke e cilësuar planin e mëparshëm të hartuar nga administrata Basha si klientelist, Veliaj tha se plani i ri është me përmasa njerëzore.

Për herë të parë, deklaroi Veliaj, nuk shkon ndërtimi pastaj urbanizimi, por shkon fillimisht urbanizimi.

“Për shumë që e shohin në televizor u duket e komplikuar, por realisht është një plan me përmasa njerëzore, mjafton t’ ju përmend që plani që ne gjetëm në Bashkinë e Tiranës dhe ishte aktiv, ishte një plan për një Tiranë prej 4.6 milionë banorë. Plani i kaluar në thelb ishte një platformë për dhënien e lejeve të ndërtimit klienteliste dhe jo detyrimisht një plan që i shikonte të gjithë aspektet e tjera. Sot është dita me natën, është realisht një plan me përmasa njerëzore, që sikur të shfrytëzojë 100% koefiçientin, që nuk ndodh kurrë, normalisht as gjysma nuk shfrytëzohet, ne maksimumi do të kemi një Tiranë me 1.5 milionë banorë deri në 2030, që në fakt përkon edhe me rritjen demografike”, tha ai.

Kreu i Bashkisë deklaroi se plani i ri vendor i jep zgjidhje çështjeve si transporti publik, krijimi i hapësirave të gjelbra si dhe përmirësimi i infrastrukturës.

“Për infrastrukturën kemi një fokus ndaj ju kërkoj që ta mbështesim, shkon si energji me planet e Ministrisë së Transportit, që janë unaza e 5-të e Tiranës edhe shumë projekte të infrastrukturës. Me bulevardin e ri ne do të jemi gati që të hapim 1000 metra e parë, pra kilometrin e parë të bulevardit të ri përpara fillimit të verës”, tha ai.