Transmetuar më 09-04-2017, 15:20

Zbulimi i ish-depos me 11.6 ton kanabis në fshatin Pagri të Përmetit u ka kushtuar detyrën disa punonjësve të policisë në Përmet dhe Gjirokastër. Policia e Shtetit në bashkëpunimin me prokurorinë kanë shkarkuar 2 komisarë, përjashtuar një inspektor, ndërsa ka nisur procedimi disiplinor për 5 drejtues mes tyre drejtorin e Policisë së Qarkut.

Ndërkohë që ka nisur hetimi disiplinor ndaj tre drejtuesve të Policisë së Gjirokastrës dhe Përmetit. Po kështu hetim disiplinor edhe për drejtorin e Policisë së Gjirokastrës Fatmir Hoxha.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës Aranit Arapi është vendosur nën procedim disiplinor për shkelje të rëndë të detyrës pas zbulimit të magazinës me 11.6 ton kanabis sativa në Përmet.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Gjirokastër, për të cilët në bazë  për zbatim të Ligjit për ‘Policinë e Shtetit’ si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat disiplinore:

Inspektor Pëllumb Qamo, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Piskovë, Bashkia Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u përjashtua nga Policia e Shtetit.

Komisar Kastriot Ndoj, me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

Kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

Komisar Asim Beqiraj, me detyrë Shef i Seksionit të Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Komisar Gentjan Shehu, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Drejtues Fatmir Hoxha, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë Publike, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Drejtues i Parë Aranit Arapi, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Përmetit vijon hetimin për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe subjekteve të saj, të grumbullimit, mbajtjes dhe trafikimit të lëndës narkotike e zbuluar dhe sekuestruar në datën 8 prill në Pagri të Përmetit.