Transmetuar më 08-04-2017, 13:30

Katër të rinj shqiptarë janë arrestuar dhe dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pasi u zbuluan nëpërmjet rrjetit social Facebook se ishin autorë të një serie plaçkitjesh.

Policia italiane tha sot se ka arritur ta shkatërrojë grupin e hajdutëve shqiptarë, të cilët akuzohen për së paku 52 vjedhje të dokumentuara në provincat e Verbania, Novara, Aosta, Lecco dhe Bergamo.

Bëhet fjalë për ngjarje të ndodhura nga maji i vitit 2015 deri në korrik 2016, ku sipas policisë, vlera e plaçkitjeve është të paktën 500 mijë euro.

“Goditja e grupit u bë në sajë të të dhënave që të dyshuarit kishin publikuar në Facebook”, – thuhet në hetimin policor.

Shqiptarët e arrestuar gjatë natës duke gdhirë dita e sotme (e shtunë), vepronin natën, duke zgjedhur banesa që në pamje të parë dukeshin pa njerëz. Atje, ata vidhnin sende me vlerë dhe të holla.

Të rinjtë linin takim mes tyre në një lokal para se të hidheshin në sulm.

Të arrestuarit janë Kristian Bibaj, 29 vjeç, Franko Gjeci, 26 vjeç, Ilir Ndrejaj, 43 vjeç, Viktor Nikolli, 32 vjeç.

Ndërkohë 21- vjeçari Dorian Marku dhe 27- vjeçari Aldo Vela po procedohen në gjendje të lirë, me kusht që të mos largohen nga Italia.