Transmetuar më 03-04-2017, 10:06

Vjedhjet, përfshirë ato të dhunshme, janë profesion fitimprurës për dy djem në Tiranë, të cilët edhe pse janë dënuar më parë për këtë krim, nuk kanë ngurruar ta praktikojnë sërish.

Por këtë radhë, për Fatjonin 26-vjeçar nga Tirana dhe shokun e tij adoleshent, vjedhjet janë bërë më të sofistikuara.

Së bashku me dy djem të tjerë, ata kanë vendosur të aplikojnë një stil të ri grabitjesh të dhunshme, duke përfshirë në grup edhe një vajzë.

Roli i femrës, ishte të peshkonte viktimat e greabitësve.

Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Gracka” i ka dhënë fund këtyre ngjarjeve të shëmtuara dhe në pranga kanë rënë katër persona kurse është shpallur në kërkim vajza që fuste njerëzit në kurthin e hajdutëve të dhunshëm.

Operacioni u kurorëzua ditën e djeshme e diel, nga efektivët e komisariatit nr.6 të Tiranës. Policia e Shtetit tha sot për noa.al se u vunë në pranga Fatjon Bushgjokaj, 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, A. B., 17 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes”, Ndue Bushgjokaj, 24 vjeç, banues në Tiranë dhe Elton Leka, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe një vajzë.

Pesë të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë kryer vjedhje me dhunë në dëm të disa personave, duke vepruar të koordinuar me njëri-tjetrin.

Fillimisht ishte femra e cila u kërkonte ndihmë të dëmtuarve duke, i huazuar telefonin për të bërë një telefonatë. Më pas bashkëpunëtorët e saj ushtronin dhunë fizike ndaj të dëmtuarve dhe më tej i vidhnin sendet me vlerë si telefon, varëse, ora dhe vlerat monetare, ku më pas largoheshin me një automjet të tipit “Fiat”, të marrë me qira.

Pas një pune hetimore dhe një sërë veprimesh proceduriale për të dyshuarit është arritur të dokumentohet me prova ligjore se janë autorë të dyshuar të ngjarjeve:

-Më datë 23.03.2017, në Kodër Mëzes, kanë vjedhur shtetasen R. M., të cilës i kanë marrë një telefon të markës “Alfa 5”

-Më datë 23.03.2017, në rrugën “Kasem Shima”, kanë vjedhur shtetasin E. A., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Samsung S3” dhe një xhup lëkure

-Më datë 28.03.2017, në “Fushë Mëzes”, kanë vjedhur shtetasin I. T., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6 S plus”

-Më datë 29.03.2017, tek rrethrrotullimi “Vorës”, kanë vjedhur shtetasin Xh. L., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “ iPhone 4S” dhe 4 mijë Lekë të reja

-Më datë 31.03.2017, pranë ish “Casa Italia”, kanë vjedhur shtetasin O. H., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Doogee” dhe 12 mijë Lekë të reja

-Më datë 01.04.2017, në rrugën dytësore të autostradës Durrës–Tiranë, kanë vjedhur shtetasin R. Ç., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “ iPhone 6 S plus”

-Më datë 01.04.2017, në rrugën “Sokrat Mio”, kanë vjedhur shtetasin S. M., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6”, një varse, një orë dore, 15 mijë Lekë të reja dhe xhupin

Në cilësinë e provës materiale, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

7 telefona të markave të ndryshme si, iPhone, Doogee, Samsung, Nokia, dy xhupa lëkurë, një varëse floriri, një automjet i tipit “Fiat”, i marrë me qira, katër kuleta të llojeve të ndryshme, disa prej sendeve të cilat i përkasin shtetasve të dëmtuar, u gjetën të groposura në një shtëpi të braktisur në Kamëz.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprën penale “vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Sa për femrën që ishte karremi i kurthit, ajo e ka sfiduar policinë. Është zhdukur dhe nuk gjendet. /a.y/noa.al