Transmetuar më 28-03-2017, 12:34

Fier, 28 mars 2017, NOA.al- Ndërsa prej disa javësh mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijojnë thumbimet nga deputetë të ndryshëm, një tjetër i tillë është bërë sot nga Fieri.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi teksa ka shpërndarë leje legalizimi në Libofshë, ka thumbuar LSI-në lidhur me zgjedhjet e 18 qershorit.

Ai ka thënë se Partia Socialiste është e vendosur për t’u futur në zgjedhje dhe do të dalë fituese, qoftë nëse del e vetme, qoftë me LSI.

“Me ose pa LSI, Partia Socialiste është e vendosur te futet ne zgjedhje si forcë fitimtare. Nuk është vendosur ende nga LSI se çfarë do të bëhet në zgjedhjet e qershorit. PS ka shprehur vullnetin për te vazhduar me aleatët për zgjedhjet e 18 qershorit”, tha Ruçi./a.y/noa.al