Transmetuar më 28-03-2017, 11:46

Gjykata Kushtetuese ka nisur të martën shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për të shpallur si antikushtetues disa nene të ligjeve për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Ky ligj parashikon ngritjen e KLGJ dhe KLP, por demokratët thonë se ai e thellon më tej antikushtetueshmërinë lidhur me mënyrën se si zgjidhen 5 anëtarët e këtyre institucioneve.

Sipas selisë blu, me këtë ligj mazhoranca ka krijuar një organ ekstra kushtetues, duke ia hequr mundësinë Kuvendit që ta bëjë ai përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë e prokurorë në KLGJ e KLP.

Ligji në fjalë u miratua me votat e mazhorancës në seancën e 3 nëntorit, ndërsa Partia Demokratike e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar.

Ndërkohë Avokati i Popullit ka mbledhur komisionin ‘ad hoc’ për shqyrtimin e kandidaturave për KLGJ e KLP që vijnë nga radhët e avokatisë.