Transmetuar më 28-03-2017, 08:07

Prej më shumë se tre vite mungesë, Adelina Ismaili ka qenë e ftuar ekskluzive mbrëmjen e djeshme në NIN, në Klan Kosova, ku rrëfeu për pritjen e ëmbël, së cilës dalëngadalë po i vjen fundi. Siç është mësuar tashmë, këngëtarja është në pritje të një djali dhe bashkë me Valin, partnerin e saj, mezi po presin ta kenë në krahë fëmijën e parë.

Duke folur për muajt e shtatzënisë, periudhë në të cilën ajo dhe Vali kanë dashur të mos jenë shumë të ekspozuar mediatikisht, diva e muzikës tha ndër të tjera se ka dashur që këtë kohë ta shijojë vetëm për vete.

Momenti kur mësoi se ishte shtatzënë ishte muaji korrik i vitit të kaluar: “Momentin e kam të shënuar, ka qenë shumë nxehtë, fundi i muajit korrik. Nuk mund ta besoja. Kisha kohë që e prisja, por prapë është ajo ndjenja e çuditshme tani që më kujtohet. Pothuajse krejt bota ndalet”, tha ndër të tjera këngëtarja.

Si pjesë e një familjeje me vajza, Adelina tregon se kishte menduar më shumë se 300 opsione për emër vajze dhe kurrsesi nuk kishte menduar për emër djali, ndaj këtë pjesë ia ka lënë Valit në dorë. Megjithatë, as ai nuk po e ndihmon, meqenëse akoma nuk e kanë gjetur emrin me të cilin do ta pagëzojnë të birin. Por diçka e dinë të sigurt: emri do të jetë shqiptar dhe, ndoshta, një bashkim i bukur emrash.

E shkatërruar nga showbiz-i (të cilin në ditët e sotme ajo e quan prostitucion), Adelina tha edhe “larg qoftë” për pyetjen nëse i biri një ditë do të bëhej këngëtar apo nëse do të ishte pjesë e showbiz-it, edhe pse kjo, sipas saj, është e vështirë të shmanget gjithmonë.