Transmetuar më 26-03-2017, 14:41

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është mbështetur sot në çadrën e protestës nga shqiptarë të ardhur nga Presheva, të cilët i ka falenderuar për përkrahjen që po i bëjnë kërkesave të opozitës në Shqipëri dhe u ka kushtuar vëmendje të veçantë.

Basha në fjalën e tij ndër të tjera akuzoi kryeministrin Rama se nuk e mbajti fjalën për shqiptarët lidhur me arsimin dhe veçanërisht për njohjen e diplomave nga Serbia dhe sipas tij kjo pasi ai është i lidhur me krimin dhe korrupsionin.

“Në Preshevë para 3 vjetësh, kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar, mbështetje për arsimin, njohje të diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto nuk janë bërë realitet.

Për arsyen e thjeshtë, dhe të vetme, se një Shqipëri jo demokratike, një Shqipëri e korruptuar, një Shqipëri e bërë zap nga krimi nuk mund të kujdeset as për qytetarët e vet, e jo më të përmbushë detyrimet kushtetuese për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Basha.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga ana e kryeministrit Edi Rama lidhur me deklaratën e kryedemokratit Basha sa i takon njohjes së diplomave shqiptare në Serbi.

Me anë të një postimi në faqen e tij Facebook, Rama ironizoi liderin e demokratëve se njohja e tyre është kryer me kohë. Nga ana tjetër ai ftoi Bashën që të mbajë kufirin e gënjeshtrave brenda territorit  shqiptar, pasi sipas tij po i turpëron botërisht.

“Njohja e diplomave shqiptare në Serbi është kry ka kohë Lulëzim✌Aman mbaje kufirin e rrenave brenda Shqipërisë se na turpërove botërisht