Transmetuar më 25-03-2017, 19:51

Turkish Airlines nisi zbatimin e masës së ndalimit të laptop-ëve, tabletëve e çdo mjeti tjetër të madh elektronik nëpër avione, duke lejuar vetëm telefonat celularë, siç është kërkuar nga qeveria amerikane dhe ajo britanike.

Pasagjerëve në aeroportin “Ataturk” u është lejuar t’i përdorin kompjuterat e tyre portabël deri në momentin përpara ngjitjes në bord, e më pas u është kërkuar t’i vendosin në valixhe.

Nisma amerikano-britanike prek disa vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, por ajo godet në mënyrë të veçantë Stambollin e pozicionuar prej vitesh tashmë si nyje e rëndësishme ndërkombëtare e transportit ajror.

Urdhri ishte pasojë e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës dhe paralajmërimeve të tyre mbi një sulm të mundshëm të Shtetit Islamik.

Lëvizja e fundit konsiderohet mjaft e logjikshme nga nismëtarët e saj, megjithatë ka ngjallur dyshime përsa i takon sigurisë.

Mjaft zëra janë ngritur e përmendin rrezikun që mund të barte në vetvete grumbullimi në një vend i dhjetëra mjeteve teknologjike, shumë prej të cilave përdorin bateri me jone litiumi, që në disa raste kanë marrë flakë.

Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në drejtim të Stambollit në Turqi dhe anasjelltas, gjithashtu përfshihen nga vendimi i mësipërm. Ata nuk do të lejohen të përdorin këto pajisje e po ashtu edhe prodhimin e Samsung, Galaxy Note 7 i cili sipas komunikimeve aeroportuale mund të shkaktojë shpërthime.