Transmetuar më 25-03-2017, 12:49

Vesel Kurtishaj, fituesi i edicionit të tetë të “Big Brother” është përfshirë pa dashur në një konflikt me një tjetër ish-konkurrent, Valerin. Një status pa tendencë i Veselit u interpretua nga mjeku i Malësisë së Madhe si një sulm kundër tij, ndaj e kaloi debatin në një tjetër nivel, me akuza dhe fyerje personale.

“Jemi njerëz prej mishi e prej gjaku”, rrëfen Veseli në një intervistë për “Bluetooth”, teksa i përgjigjet akuzave të Valerit dhe sulmit të tij. “Unë nuk e kuptoj këtë lloj mllefi që ka ai, apo kushdo tjetër. Nuk e kuptoj cinizmin e tij edhe pse unë nuk jam marrë asnjëherë me të.

Nuk kam pasur asnjë kontakt me të, madje edhe pse më ka sulmuar e cenuar disa herë, nuk kam reaguar. Nuk kam reaguar jo sepse e kam frikë, por thjeshtë, sepse më duken muhabete shumë pa sens, si lojëra fëmijësh”, shprehet Veseli, ndërsa tregon se “disa njerëz në këtë botë humbjet e veta kërkojnë t’ia delegojnë dikujt tjetër, duke përqeshur arritjet e dikujt, në pamundësi për të përmbushur atë boshllëkun që ju është krijuar nga humbja e tyre”.

Vesel, një nga ish-banorët, Valeri, të ka akuzuar se e ke fituar padrejtësisht “Big Brother”, ndërsa është shprehur se nuk di të lidhësh dy fjalë. Si i përgjigjesh?

Unë nuk e kuptoj këtë lloj mllefi që ka ai, apo kushdo tjetër. Nuk e kuptoj cinizmin e tij edhe pse unë nuk jam marrë asnjëherë me të. Nuk kam pasur asnjë kontakt me të, madje edhe pse më ka sulmuar e cenuar disa herë, nuk kam reaguar. Nuk kam reaguar jo sepse e kam frikë, por thjeshtë, sepse më duken muhabete shumë pa sens, si lojëra fëmijësh. Nuk është hera e parë që më sulmon, e ka bërë edhe më përpara, por për mua ishte hera e parë që ia ktheva. Ai e ktheu në personale, duke ofenduar në adresën time dhe në këtë moment kuptohet që të gjithë jemi njerëz me gjak dhe do t’i përgjigjesh. Janë disa njerëz në këtë botë që humbjet e veta kërkojnë t’ia delegojnë dikujt tjetër, duke përqeshur arritjet e dikujt, në pamundësi për të përmbushur atë boshllëkun që ju është krijuar nga humbja e tyre.

Nuk ke asnjë lloj njohjeje me Valerin?

Ne nuk njihemi, ai kurrë nuk ka pirë as një kafe të vetme me mua që të më njoh personalisht, prandaj mu desh t’ia ktheja për t’i treguar që po flet kot, pa baza. Unë mund ta kuptoj Olti Currin që herë pas here bën statuse të ndryshme, ngacmon, sa për të bërë debate e gjëra të tilla, por fundja ai është bloger i asaj gjëje dhe di ta bëjë shumë mirë. Por këto deklaratat e personit në fjalë nuk arrij t’i kuptoj, sepse ai nuk është askushi, të gjykojë fitoren time, apo të kujtdo tjetër.

Të vjen keq që e ka shndërruar në personale Valeri?

Ashtu si ai që dha një mendim personal në profilin e tij, atë bëra edhe unë në profilin tim dhe nuk e kisha fare me tendencë. Ai e ktheu në personale, duke më ofenduar në reagimin e tij. Me sa di unë, në “Big Brother” vetëm njëri fiton, kështu ka qenë deri këtë edicion të paktën dhe nuk është faji im, nëse nuk fitoi ai në edicionin e tij. Ky fakt nuk i jep të drejtë atij të vërë në dyshim fitoren time. Po nejse, e kanë marrë vesh të gjithë se pse i bën ai këto gjëra.

Të ka gjykuar padrejtësisht?

Dua të them për ata që mendojnë se kanë të drejtë të gjykojnë kë të duan ata. Unë nuk kam cenuar kurrë askënd me fjalë, ose akuza publike, si fillim, sepse nuk jam cinik nga natyra, po edhe sepse nuk mendoj se është e drejta ime të gjykoj njerëzit për sa kohë nuk i njoh nga afër. Në Kosovë kemi një fjalë të urtë “tjetrin shaje, po hakun mos ia ha”. Unë edhe kur më kanë “ngrënë hakun” nuk kam gjykuar ndonjëherë askënd, por fundja kjo është çështje edukate dhe etike e secilit.

Megjithatë edhe reagimi yt nuk ishte, le të themi i butë…

Unë në përgjithësi nuk bie në të tilla nivele, se nuk kam nevojë për vëmendje, përgjithësisht nuk reagoj fare, por siç e thashë edhe më lart, njerëz me gjak jemi të gjithë dhe na ndodh të reagojmë në momente të caktuara edhe siç na vjen në moment.

Mos është kjo një tentativë për vëmendje?

Unë personalisht nuk hyj tek njerëzit që shesin çdo gjë për vëmendje, unë edhe aq sa kam arritur, edhe pse jam shumë i ri në moshë, më ka ardhur natyrshëm, nuk kam bërë kurrë diçka me zor, ndryshe nga shumë të tjerë që e kërkojnë vëmendjen me zor. Çdokush nga ne ka të drejtë të shpreh mendimin e tij në profilin e tij si t’i dojë qejfi. Për sa kohë nuk ofendohet personi tjetër jemi në rregull, por nëse kalohet ky cak, atëherë unë kam vetëm një përgjigje për të gjithë delirantët dhe arrogantët e kësaj bote. Unë quhem Vesel Kurtishaj, nuk kam luajtur kurrë as mendjemadhin, as arrogantin me askënd, as poza nudo si të Kim Kardashian nuk kam bërë ndonjëherë.

Debati me Valerin nisi për Damianon. Çfarë mendon për të në “Big Brother” dhe çfarë raportesh keni?

Damianon e njoh, e kam mik, ashtu si edhe disa banorë të tjerë që janë në “Big Brother” këtë vit. Reagimin që kam bërë ndaj tij, duke e mbrojtur nga e ashtuquajtura “dhunë”, do ta bëja për çdo banor aty brenda, për këtë të jeni të bindur.

Ti mendon se termi ishte i ekzagjeruar?

Ne që kemi qenë banorë të asaj shtëpie i dimë shumë mirë situatat që krijohen aty brenda dhe dimë po ashtu shumë mirë se çdo të thotë dhunë e çdo të thotë një prekje thjeshtë për të demonstruar atë që kërkon të thuash.

Përveç Damianos, me cilët nga konkurrentët e tjerë ke njohje?

Në atë shtëpi unë njoh shumë nga banorët këtë vit. Njoh Danielin më shumë dhe Damianon, por edhe Ervinin. Pastaj janë edhe disa nga vajzat beqare, si për shembull Sidrita që ka jetuar disa kohë në Prizren, e kështu me radhë, deri te disa mikesha të miat që janë futur në çift këtë vit.

Cilin prej tyre sheh si fitues?

Është ende shumë herët të flas për një lojtar të fortë aty brenda, e aq më shumë për një emër fitues. Është vetëm java e parë dhe ende nuk i njohim mirë banorët. Deri më tani secili në mënyrën e tij mundohet të tregojë cilësitë e veta. Aty brenda kanë filluar të spikatin lloj-lloj karakteresh, që mos të filloj t’i numëroj, po them nga ata që ende po blejnë nga banorët e tjerë e deri tek ata që duan të jenë protagonistë e të rrëmujshëm, që t’u dëgjohet zëri në çdo cep të shtëpisë.

Ke pasur lidhje me ndonjë nga vajzat e “Big Brother”?

Jo. Nuk kam pasur, as nuk kam lidhje me asnjërën prej tyre.

Cila prej vajzave të pëlqen?

Ende asnjëra në veçanti.