Transmetuar më 24-03-2017, 17:23

Deputetja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, ishte e pranishme sot në prezantimin e studimit të fizibilitetit të ujësjellësit të ri në Rrajcë të Prrenjasit. Duke folur për mediat pas këtij takimi, znj. Kryemadhi tha se bëhet fjalë për një investim që i jep entuziazëm dhe shpresë banorëve të komunës Rrajcë, që është një nga zonat më të bukura të Prrenjasit.

“Ky projekt u jep një lloj entuziazmi banorëve të komunës Rrajcë, të cilës të mendosh që është një nga zonat më të bukura, por edhe më të varfra. Njëkohësisht mungesa e ujit, mungesa e infrastrukturës, e bën më të lodhur e më të drobitur si zonë. Por ky projekt ishte si një lloj shprese që u jepej banorëve dhe shpresoj që sa më shpejt të realizohet”, – u shpreh deputetja e LSI-së, teksa theksoi nevojën për të krijuar sa më shumë investime dhe sa më shumë mundësi në këto zona që njerëzit të mos e gjejnë rrugëzgjidhjen duke u larguar nga Shqipëria.

“Është një mundësi për të parë diçka ndryshe, një mundësi për të parë një gjë të bukur, por njëkohësisht duke parë dhe anën tjetër të medaljes; mungesën e investimeve në gjithë këto vite tranzicion që kanë ndodhur në Shqipëri, gjë që na vret edhe ndërgjegjja. Njëkohësisht na rrit edhe më shumë përgjegjshmërinë edhe obligimin për të krijuar sa më shumë mundësi dhe për të krijuar sa më shumë investime në këto zona.

Njerëzit të mos e gjejnë rrugëzgjidhjen e tyre përmes largimit nga Shqipëria, por të gjejnë rrugëzgjidhjen të jetojnë në zonat e tyre, por të kenë edhe mundësitë e tyre më të mëdha për të patur një jetë më të mirë. Një zonë sa punëtore, por edhe aq arsimdashëse, kjo na krijon edhe një lloj obligimi më të madh për të pasur vëmendjen drejt këtyre zonave që janë të harruara në momente të caktuara”, – shtoi znj. Monika Kryemadhi.

E pyetur nga mediat se Rrajca është një zonë kufitare, që ka pasur gjithmonë probleme me punësimin, infrastrukturën dhe rrugën dhe nëse ky investim mund ta marrim si hapin e parë drejt mbështetjes së kësaj zone, znj. Kryemadhi u përgjigj duke thënë se: “Unë e shikoj si një detyrim jo vetëm politik, por detyrim moral në radhë të parë të përkrah një kryetare bashkie që është grua, një nënë e re me një fëmijë të vogël, por që mbi të gjitha që ka marrë edhe një lloj angazhimi jashtëzakonisht të madh për një zonë kaq të varfër, me mungesa kaq të mëdha në investime”./b.l/noa.al/