Transmetuar më 24-03-2017, 16:41

Katër ministrat e rinj të kabinetit qeveritar "Rama" janë betuar pasditen e sotme para kreut të Shtetit, Bujar Nishani.

Fatmir Xhafaj, ministri i ri i Punëve të Brendshme, Eduard Shalsi, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, ministrja e Punëve dhe Çështjeve Sociale, Olta Xhaçka, si dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u paraqitën në Presidencë për të marrë kështu dhe “bekimin” e Nishanit.

Një ditë më parë Kuvendi votoi për shkarkimin e Saimir Tahirit nga posti ministrit të Brendshëm me 75 vota pro mazhorancës dhe emërimin në këtë detyrë të Fatmir Xhafaj me 76 pro.

Gjithashtu me 78 vota pro të shumicës, Ilir Beqaj u shkarkua nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe në vend të tij u emërua me 79 vota pro, Ogerta Manstirliu. Kuvendi votoi edhe për emërimin e Olta Xhaçkës në postin e ministres së Mirëqenies Sociale me 79 vota pro dhe shkarkimin nga kjo detyrë të Blendi Klosit me 76 vota pro.

Për shkarkimin e Bledi Çucit nga posti i ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, votuan pro 78 deputetë të shumicës, ndërsa për emërimin e Eduard Shalsit në këtë detyrë votuan pro 76 deputetë të mazhorancës. Votimi u bë pa praninë e opozitës e cila prej më shumë se një muaj ka bojkotuar seancën plenare.