Transmetuar më 24-03-2017, 11:11

Tiranë, 24 mars 2017, NOA.al- Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që nga 2 prilli do të nisë reduktimin e përdorimit të qeseve plastike, duke i vënë një çmim 3 lekë të reja për qeset e vogla dhe 5 lekë për qeset e mëdha.

Duke i vlerësuar qeset plastike si ndotëse të mëdha dhe me efekte të parikuperueshme në mjedis, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nënshkroi me përfaqësuesit e shoqatës së supermarketeve kryesore marrëveshjen për kufizimin e përdorimit të qeseve plastike dhe për zëvendësimin e tyre nga trasta.

“Duke filluar nga data 2 prill, qeset e vogla do të kushtojnë 3 lekë dhe 5 lek qeset e mëdha. Jo për të kompensuar çmimin, por për të qenë aty si një barrierë psikologjike që çdokush të thotë: Nuk e dua fare qesen dhe mjafton të përdor trastën time, apo rrjetën time apo çantën që kam sjellë nga shtëpia si e vetmja mënyrë se si ne mund t’i vëmë fre ndotjes që po i ndodh Tiranës”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se çdo vit Tirana prodhon 100 tonë qese çdo muaj, të cilat janë të majftueshme për të bllokuar kanalizimet apo për të ndotur lumenjtë.

Veliaj shtoi se përmes kësaj nisme synohet edhe një jetë e shëndetshme për të gjithë ata që jetojnë në kryeqytet.

“Sot është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë me supermarketet kryesore në Tiranë me këtë politikë të re të pagesës modeste për qeset, thjeshtë për t’i dekurajuar njerëzit që të mos marrin qeset plastike. Dhe unë besoj se është vetmja mënyrë se si ne kontribuojmë në një qytet shumë herë më të shëndetshëm se sa ky që kemi sot”, tha ai.

Më tej shtoi se do të vijojë edhe puna për mbjelljen e pemëve të reja duke i çuar në vitin 2030 në 2 milionë pemë të reja.

Kreu i Bashkisë deklaroi se kjo nismë për reduktimin e qeseve nuk është e veçuar, por pjesë e një konteksti më të madh të Bashkisë së Tiranës për të ulur ndotjen./a.y/noa.al