Transmetuar më 24-03-2017, 10:25

Shqipëria ka shërbimet dhe ushqimet më të shtrenjta në Europë. Sipas raportit të Institutit të Statistikave, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit  për muajin shkurt, ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritjes vjetore të çmimeve. Kështu, në bazë të të dhënave, ky indeks rezultoi 3.7 përqind për vendin tonë, duke qenë më i larti në Europë. Sipas INSTA, ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” me 8,1%, pasuar nga grupet “Transport” me 3,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,9%, etj. Në muajin shkurt 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të frutave dhe zarzavateve.

Edhe në muajin shkurt, Shqipëria rezultoi me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë me 3.7%, teksa mesatarja europiane ishte 1.9%.  Ritmet më të larta të rritjes i pati Shqipëria, Estonia, Belgjika, Letonia dhe Lituania. Ndërsa ritmet më të ulëta të rritjes së çmimeve i patën Islanda, Irlanda, Rumania dhe Zvicra.