Transmetuar më 23-03-2017, 10:57

Gjykata ka zbardhur vendimin që i dha pafajësi disa personave të dyshuar si anëtarë të asaj që cilësohet nga prokuroria dhe një pjesë e politikës shqiptare, si “Hakmarrja shqiptare për drejtësi”.

Ajo që spikat në vendim është fakti se gjykata pranon që procesi i gjatë u bë nën një trysni të madhe mediatike dhe politike që synonte të krijonte perceptimin se kishim të bënim me një organizatë terroriste.

 “Politika, media për vite të tëra dhe në përmasa të jashtëzakonshme kanë nxitur publikun të besonte se të pandehurit janë pjesëmarrës të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, – thuhet në vendim.

Qëndrimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda cilësohet si qesharak nga Orik Shyti, një prej të akuzuarve që mori pafajësi.

Duke folur me NOA.al, z.Shyti shpreh keqardhjen që, “edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë, madje edhe pas këtij vendimi, prokuroria nuk ka kurajë të ndahet nga e kaluara e saj fatkeqe, në shërbim të një marrëzie”.

Për të njohur më shumë qëndrimin e prokurorisë gjeni pranë këtij raporti, faqen e parë dhe dy faqet e fundit të vendimit, si dhe tri faqet e skanuara të kundër-rekursit.

NOA.al ju sjell më poshtë pjesë nga vendimi i gjykatës.

Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të procesit, duke arsyetuar, ndër të tjera, se: “…Mbi zgjatjen e procedurave gjyqësore: Duke ju referuar procesverbaleve të seancave në dosjen gjyqësore, konstatohet mungesa e gjyqtarëve për arsye objektive ndër të cilat mund të përmendim pjesëmarrjen në gjykim të çështjeve të tjera, raportin shëndetësor, apo marrjen e kohës për t’u njohur me çështjen. Seancat gjyqësore janë shtyrë edhe për mungesë të prokurorëve

…. 

Gjykata e Apelit në analizë të deklarimeve të bëra nga të pandehurit, ashtu siç ka konstatuar edhe Gjykata e Lartë, duke u shprehur gjerësisht për deklarimet e të pandehurve, i ka çmuar ato kontradiktore dhe ka konkluduar se nuk mund të përdoren si provë. Gjykata e Apelit i vëren nga një këndvështrim  tjetër dhe konstaton se ato janë kontradiktore në tre pamje. E para, në deklarimet e të njëjtit të pandehur dhe për të njëjtin episod rrëfimi është i ndryshëm nga një procesverbal tek tjetri, si për sa i përket numrit dhe emrave të pjesëmarrësve në krim, llojit të armëve që mbante secili etj., deri tek sasia e vlerës monetare të vjedhur dhe llojeve të saj. E dyta, deklarimet e cilitdo të pandehur kanë kontradikta me deklarimet e të pandehurve të tjerë, jo vetëm për anët që sapo përmendëm, të cilat vërehen në procesverbalet e të njëjtit të pandehur, por edhe në të tjera që kanë të bëjnë me kohën e kryerjes së krimit, me automjetet e përdorura për të shkuar në vendin e ngjarjes etj. E treta, në deklarimet e të pandehurve përmenden objekte e rrethana që vijnë në kundërshtim me shumë fakte që janë fiksuar në procesverbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe të tjerë dokumente, të cilat provojnë se të pandehurit nuk e njohin vendin ku ka ndodhur krimi, kohën kur është kryer ai etj.

Të para në këto aspekte, gjykata vlerëson se deklarimet e të pandehurve janë produkt i dhunës fizike dhe psikologjike që është ushtruar mbi të pandehurit, dhunë që Gjykata e Lartë e ka gjetur të provuar. Por një pjesë e këtyre kontradiktave e bëjnë të pranueshëm pretendimin e mbrojtjes se deklarimet e fiksuara në procesverbale me dhe pa data nuk janë shqiptuar nga të pandehurit, por janë shkruar nga nëpunësit e shtetit dhe të pandehurit janë detyruar t’i nënshkruajnë. Kjo do të thotë që kontradiktat provojnë se dhuna është ushtruar më shumë për t’i detyruar të pandehurit të nënshkruanin ato që ishin shkruar nga nëpunësit e shtetit, sesa për t’i detyruar ata që të pohonin ato që u sugjestionoheshin. Për këtë konkluzion flet edhe gjuha e njëjtë, si nga leksiku edhe struktura e fjalive, ashtu edhe nga gabimet e njëjta drejtshkrimore, që vërehet në të gjithë procesverbalet me deklarime pavarësisht faktit që të pandehurit dhe përpiluesit e procesverbaleve janë të ndryshëm.

Gjykata e çmon domethënës faktin që organi procedues, megjithëse pyetur më shumë se 100 dëshmitarë okularë, të cilët i kanë parë nga afër autorët e këtyre krimeve, vetëm pak prej tyreve iu paraqitur për njohje të pandehurit e këtij procedimi. Autorët e krimeve në disa raste kanë pasur paruka dhe vetëm në pak ngjarje kanë qenë fytyrë mbuluar, por s’kanë qenë të tillë në rastin e autobombës tek Supermaketi “VEFA”, në vrasjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, në vjedhjen e “Shkumbin Petrol” etj.

 (f. 133-134 e vendimit) 

Nga analiza e rrethanave të çështjes, provave të shqyrtuara dhe vlerësuara sipas ligjit procedural penal, analizës të veprave penale për të cilat të pandehurit janë gjykuar, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, ashtu si Gjykata e Lartë çmon se akuzat në ngarkim të të pandehurve janë të paprovuara, një pjesë të mbështetura në akte të falsifikuara dhe një pjesë në hamendësime. Përveç sa u parashtrua më lartë gjatë shqyrtimit një për një të episodeve, u provua se montimin e çështjes mbi fakte të rreme, të paqena dhe alogjike të cilat nuk duhet të silleshin para gjykatës e kanë bërë persona të papërgjegjshëm të strukturave të ndryshme shtetërore për të krijuara të ashtuquajturën banda e “Hakmarrjes për Drejtësi” e cila rezulton se nuk ka ekzistuar asnjëherë, gjykata vëren përveç aspaktit  të deklararimeve e të pandehurve (analizë e bërë në faqen 77 të vendimit) dhe ekspertimet kriminalistike daktiloskopike.

Gjykata e Apelit arrin në këtë konkluzion për shkak se në veprimtarinë  e ndjekur nga Laboratori Qendror i Kriminalistikë (LQK) janë provuar fakte të keqadministrimit të provave materiale, të kartelave daktiloskopike dhe të tabelave fotografike siç janë: Mungesa e gjurmëve të dorës së djathtë të Leart Shytit, konstatuar nga akti i ekspertimit nr. 454, dt. 28.01.2004, në një kohë që para kësaj date shenjat papilare të të dy duarve kanë qenë të administruara nga LQK, çka e vërteton akti i ekspertimit nr. 1180, datë,10.10.1996 dhe disa akte të tjerë; mungesa e kartelës daktiloskopike të Orik Shytit që vërtetohet nga aktet e ekspertimit nr. 1180, datë 10.10.1996 e nr.269, datë 09.06.1997, në një kohë që akti i ekspertimit nr. 454, datë 28.01.2004 dhe letër-porosia e Prokurorisë së Përgjithshme nr. 108/9, datë 28.10.2003 vërtetojnë se kartela ka qenë e administruar nga LQK para fillimit të procedimit penal; procesverbali i datës 05.05.2004, për këqyrjen e sendeve, mbajtur në LQK (IPSH) vetëm për gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në rastin e episodit të S.J, vërteton se në kartotekën balistike mungon një nga katër gëzhojat; ekspertimi i bërë për një gëzhojë me pretendimin se është gjetur në vendin e ngjarjes të episodit “Gjallica” Vlorë, kur kjo gëzhojë nuk është marrë as me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe as me ndonjë procesverbal tjetër vërteton se gëzhoja objekt ekspertimi nuk është gjetur në këtë ngjarje dhe nuk i përket asaj; pohimi në informacionin e LQK nr.4660, dt. 29.10.1996, drejtuar prokurorisë, se gëzhoja e fiksuar në vendin e ngjarjes të Arkës së Kursimeve nr. 8 Tiranë është qitur nga pistoleta “Makarova” e gjetur në banesën e Zeliha Sinës, në një kohë që akti i ekspertimit nr. 25, dt. 11.01.1997 vërteton se ekspertimi i kësaj gëzhoje është bërë në datën 11 janar 1997 dhe vetë gëzhoja është administruar nga LQK në datën 07.01.1997, vërteton se në këtë procedim është abuzuar me shkencën kriminalistike; në episodin e argjendarisë “Agron” nga 8 gjurmë të fiksuara në procesverbalin e këqyrjes të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, disa vite më vonë ekzaminimit i është nënshtruar një kartelë që ka 7 gjurmë, pra një më pak se në procesverbalin e këqyrjes; në episodin e VEFA Vlorë tabela fotografike tregon se ka më shumë gëzhoja nga sa përshkruhen në procesverbalin e këqyrjes etj. Përveç këtyre, në kushtet që eksperti kriminalist O. Afezolli ka nënshkruar procesverbalin e këqyrjes të vendit të ngjarjes në rastin e episodit të IAP, ndodhur në datën 07.12.1994, megjithëse nuk ka marrë pjesë në këqyrje dhe në kushtet që O. A. është i vetmi ekspert i LQK, ku punonin një numër i konsiderueshëm ekspertësh, që ka nënshkruar të gjithë aktet e ekspertimit balistik dhe daktiloskopik me konkluzione kategorike pozitive, Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit i vlerëson të bazuara pretendimet e mbrojtjes për mundësinë e përfshirjes së LQK dhe ekspertit O.A në manipulimin e provave. 

Ne analizë të këtyre fakteve, si të faktit se në këtë çështje jemi përpara një sërë sasish të mëdha parregullsish në prova, si procesverbale të falsifikuara, pa data, pa firma, të firmosura nga persona me uniformën e shtetit që nuk kishin qenë kurrë  atje ku kishin thënë se ishin gjetur armë, parregullsi ku janë ndryshuar konkluzionet e ekspertimeve, ka konkluzione të bëra disa muaj përpara se eksperti të kishte në dorë objektet e ekspertimit; janë ndryshuar gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, janë krijuar dokumente për të akuzuar të pandehurit si krijues të platformës “Hakmarrja për Drejtësi” del qartë që procesi është tërësisht i falsifikuar dhe me shkelje të shumta procedurale të bëra në mënyrë të qëllimshme për të krijuara prova.

Gjykata e apelit konstaton se është shkelur neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar një sërë parimesh të rëndësishme ndërkombëtare siç janë: është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë (politika, media për vite të tëra dhe në përmasa të jashtëzakonshme kanë nxitur publikun të besonte se të pandehurit janë pjesëmarrës të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” përpara se të bëhet vlerësimi i fakteve nga gjykata (nga gjykimi u provua se gjithçka ishte e sajuar dhe e falsifikuar), nuk është siguruar mbrojtje dhe përfaqësim për të pandehurit, nuk është siguruar barazia e palëve në proces, të pandehurit janë keqtrajtuar në paraburgim, janë përdorur agjentë të policisë për të manipuluar provat, nuk është zhvilluar gjykim në një afat kohor të arsyeshëm , është mohuar siguria juridike e të pandehurve, ata kanë mbetur në pozita pasigurie për një periudhë mbi 20 vjeçare, është cenuar e drejta për të mos kontribuuar në vetë-inkriminim, akuza kundër të pandehurve është mbështetur vetëm në prova të përfituara nëpërmjet metodave të detyrimit dhe të dhunimit të të pandehurve, të mbajtur në agjente të veçanta duke u mohuar asistencë ligjore.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, çmon se çështja duhet të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. Prokuroria e Apelit nuk kërkoi  dhe as paraqiti përpara gjykatës prova të tjera  lidhur me çështjen. Prokurori kërkoi kthimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, duke i lënë detyrë prokurorit  të shkallës së parë të kërkojë tërheqjen e akteve në Prokurori. Kjo kërkesë e Prokurorit nuk bazohet në asnjë nga… 

(F.154-156 e vendimit) (Nënvizimet janë të gjykatës)