Transmetuar më 22-03-2017, 19:36

Londër, 22 mars 2017, NOA.al- Shkon në katër numri i personave që humbën jetën në kryeqytetin anglez, si pasojë e atij që nga të dhënat paraprake hetimore është cilësuar sulm terrorist.

Një person aziatik rreth 40 vjeç, pak pas mesditës së sotme, përplasi me makinë një grup personash që ndodheshin para Parlamentit të Londrës, dhe më pas theri me thikë një polic në oborrin e Westminster.

Por sulmi i tij u ndërpre nga policia e cila e ekzekutoi duke e qëlluar me armë.

Sipas policisë angleze, Scotland Yard bëhet fjalë për një akt terrorist. Përveç agresorit që u vra nga policia, ndërroi jetë edhe një grua, e cila u përplas me makinë nga i dyshuari. Ndërkohë polici i therur me thikë gjeti vdekjen në spital, ndërsa flitet për mbi 10 persona të tjerë të plagosur, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas sulmit u bë evakuimi nga Parlamenti i Westminster, i Kryeministres britanike Theresa May e cila ndodhej brenda tij në momentin e agresionit./a.k/noa.al/