Transmetuar më 22-03-2017, 10:09

Rikrijohet grupi mbështetës për ccështjen e shqiptarëve në Senatin amerikan. Gjatë takimeve që kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, pati në Washington ju konfirmua edhe lajmi në fjalë. Drejtues të këtij grupi do të jenë senatorët, Gary Peters nga Michigan dhe Joni Ernst nga Iowa.

Ky mekanizëm, do të ketë rol kryesor mbështetjen, promovimin dhe favorizimin e dialogut në Senatin Amerikan mbi Shqipërinë dhe çështjet thelbësore, jo vetëm të komunitetit Shqiptaro-Amerikan por edhe të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.

“Shqipëria është një aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar e cila është e angazhuar në konsolidimin e demokracisë dhe zbatimin e reformave kyçe” u shpreh Senatori Peters gjatë takimit me Ministrin Bushati.

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë si dhe mbi peshën specifike dhe kontributin e posaçëm ekonomik dhe kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan në shtetin e Michigan-it.