Transmetuar më 22-03-2017, 08:48

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Ai ka zgjedhur një foto të veçantë të Haxhi Bektash Veliut me të cilën u uron shqiptarëve mbarësi.

"Mirëmëngjesi dhe ju uroj gëzuar Sulltan Novruzin me këtë imazh të paqtë të shtatores së Haxhi Bektash Veliut, atit shpirtëror të bektashinjve, vendosur në faltoren e re të bektashinjve në Tiranë, për ndërtimin e së cilës qeveria jonë pati nderin të kontribuojë financiarisht", shkruan Rama.

Besimtarët bektashinj në Shqipëri festojnë sot ditën e Sulltan Novruzit. Në këtë ditë kremtohet ditëlindja e imam Aliut dhe ndryshe njihet nga besimtarët bektashinj si dita e rilindjes së madhe.

Dita e Sulltan Novruzit është një ditë e re, dita ku të gjitha qeniet e gjalla i falen Zotit dhe njerëzve iu shtohet dashura për Zotin, për paqen dhe për mirësinë. 

Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet  më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe./b.l/noa.al/