Transmetuar më 21-03-2017, 15:05

Tiranë, 21 mars 2017, NOA.al- Qarkullimi i masave ajrore nga Jugu i Europës do të bëjë që vendi ynë të dominohet nga kushtet e qëndrueshme atmosferike, për pasojë moti i kthjellët do të jetë prezent gjatë gjithë ditës. Herë pas here do të ketë kalime vranësirash të lehta nëpër zonën malore të Shqipërisë. Parashikohet që edhe pjesa e dytë e ditës të vijojë me të njëjtat kushte atmosferike duke bërë që moti i kthjellët dhe vranësirat kalimtare të jenë dominante. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rritje në të dy vlerat ekstremale të ditës, termometri në zonat e ulëta do të ngjitet deri në 25 gadë C.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 15 km/h nga drejtimi perëndimor- veriperëndimor, kjo do të bëjë që në brigjet e Adriatikut dhe Jonit të gjenerohet dallgëzim i ulët.

Europa

Prezenca e një qendre të presionit të ulët atmosferik në Perëndim të Europës si edhe kalimi i një sistemi frontal nga oqeani Atlantik drejt këtyre rajoneve do të bëjë që gadishulli Iberik dhe ishujt britanike të dominohen nga vranësira dhe shira me intensitet të lartë. Problematike në këto zona do të jenë gjithashtu stuhitë e fuqishme të erës dhe dallgëzimi i lartë në det. Po ashtu, me vranësira dhe shira të dobët do të mbeten vendet e Europës Qendrore. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe temperaturave relativisht të larta. Parashikohet që temperatura më të larta të shënohen në gadishullin e Ballkanit./a.y/noa.al