Transmetuar më 21-03-2017, 12:18

Tiranë, 21 mars 2017, NOA.al- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se në zbatim të afatit ligjor të përcaktuar në nenin 28, të Kodit Zgjedhor, do të duhej të ishte marrë vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të kishte caktuar datën për thirrjen e mbledhjes së parë të tyre.

Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, në një dalje për mediat tha se shkaku që afati ligjor për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor nuk u arrit të respektohej nga KQZ, është mos përmbushja e detyrimit ligjor nga Partia Demokratike për paraqitjen e propozimeve për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, dhe nga Partia Republikane, për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të KZAZ-ve.

“Ky detyrim, i parashikuar nga neni 28, pika 2, i Kodit Zgjedhor, nuk u përmbush nga këto dy subjekte zgjedhore, madje as në tejkalim të afatit ligjor, megjithëse KQZ e toleroi këtë. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas përmbylljes së afatit për shprehjen e interesit nga shtetas që kanë interes për t’u emëruar si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve, falenderon të gjithë qytetarët që iu përgjigjën ftesës publike për të kontribuar në administrimin e procesit zgjedhor dhe kanë paraqitur kërkesë dhe dokumentacionin përkatës pranë KQZ-së apo Zyrave Rajonale Zgjedhore”, u shpreh Hoxhaj.

Ajo shtoi se ky angazhim qytetar, i cili u kërkua nga KQZ në përmbushje të detyrimeve ligjore që Kodi Zgjedhor urdhëron për çdo proces zgjedhor, merr vlerë të shtuar në situatën në të cilën po kalohet, pasi siguron vijimësinë e punës dhe realizimin e zgjedhjeve në datë 18 qershor.

Pas dorëzimit nga Inspektorët Rajonalë të kërkesave të paraqitura nga qytetarët pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, dhe shqyrtimit të të gjithë kandidaturave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rastin më të parë, me vendim do të emërojë anëtarët dhe sekretarët sipas rastit, për të plotësuar vakancat për çdo KZAZ, për të siguruar ngritjen dhe funksionimin e tyre në përputhje të plotë me përcaktimet e Kodit Zgjedhor, tha më tej ajo.

Hoxhaj deklaroi se në respekt të informimit të opinionit publik, procedurat e përzgjedhjes dhe të emërimit kryesisht nga KQZ të shtetasve si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve do të kryhen në transparencë të plotë, sikundër e gjithë veprimtaria dhe puna e KQZ-së për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor të datës 18 qershor 2017./a.y/noa.al