Transmetuar më 21-03-2017, 11:47

Zbardhet dëshmia në polici e të riut që i shpëtoi mbrëmë atentatit në Kinostudio, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar. 

Një konflikt i nisur në tavolinë rreth një muaj më parë, teksa pinte kafe me dy komshinj, dyshohet të jetë bërë shkak për plagosjen e mbrëmshme të Eduard Dukës në zonën e Kombinatit. Të paktën këto janë të dhënat e para të policisë. 

Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë Duka ka sqaruar në atë kohë, se sherri me grushte e shqelma me dy komshinjtë kishte nisur pasi ishin kapur me fjalë, ndërsa njëri prej tyre e kishte sharë edhe nga gruaja. 

Konfliktin e kanë çuar edhe në komisariatin nr.4, nga i cili kanë dalë të sqaruar, por që nga ajo kohë nuk kanë folur më me njëri-tjetrin. Por kur ka kaluar më pak se një muaj, Dukës i bëhet atentati në të njëjtën zonë ku edhe u konfliktua. 

Aktualisht i riu nga Tirana ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve. 

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, për të cilët ka bërë publike vetëm inicialet dhe moshën. Ata janë  L. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, të dy me banim në Tiranë.

Efektivët e kryeqytetit thonë se po punohet për kapje e tyres. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes u sekuestruan tre gëzhoja të kalibrit 7.65 mm.