Transmetuar më 21-03-2017, 09:33

Janë identifikuar dy autorët e atentatit të mbrëmshëm në Kinostudio, ku si pasojë mbeti i plagosur 34 vjeçari Eduard Duka. Policia e Tiranës bën me dije se autorë të dyshuar të kësaj ngjarje janë shtetasit: L. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët janë shpallur në kërkim.

“Mbrëmë rreth orës 20:20, në vendin e quajtur “Kinostudio”, pranë një Bar Kafe, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Eduard Duka 34 vjeç, banues në Tiranë”- njofton policia.

Sipas saj, Duka është qëlluar me një armë zjarri të kalibrit 7.65 mm, i cili është plagosur në krahë dhe ndodhet në S.Q.U., nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre gëzhoja të kalibrit 7.65 mm.

“Shtetasit e shpallur në kërkim, me shtetasin e dëmtuar, më parë kanë patur një konflikt midis njëri tjetrit dhe konkretisht më datë 08.02.2017, konflikt i cili është trajtuar nga Komisaraiti Nr 4”- thote policia.

Po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentativë, në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./b.l/noa.al/