Transmetuar më 21-03-2017, 09:05

Një 34-vjeçar i ka shpëtuar atentatit mbrëmjen e djeshme, duke u plagosur lehtë në krah, teksa po pinte kafe në zonën e Kinostudios, në Tiranë. I plagosuri është Eduart Duka, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga Policia thanë se i riu është plagosur nga një plumb në krah, ndërsa autorë dyshohet të kenë qenë dy persona që lëviznin me makinë përgjatë rrugës “Aleksandër Moisiu”. Siç raporton “Panorama”, në momentin që ndodhi ngjarja, Duka ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, në një lokal shumë pranë Komisariatit të Policisë Rrugore.

Ndërsa autorët kanë qëlluar nga makina në drejtim të tij, më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë qenë të parët që mbërritën aty dhe menjëherë pas tyre, edhe oficerët e Komisariatit nr.4.

“Nga hetimet paraprake dyshohet se është përdorur një armë zjarri e kalibrit të vogël. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha mbrëmë Policia e Tiranës.

Nga ana tjetër, burimet thanë se hetimet janë përqendruar në një konflikt të ashpër që i plagosuri ka pasur një muaj më parë në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja mbrëmë.

Ai është përfshirë në një sherr të dhunshëm me grushte me disa persona dhe ngjarja është ndjekur nga Komisariati nr.4, që ka proceduar të personat për dëmtime të tjera me dashje. Të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk ka rezultuar që i plagosuri të ketë pasur precedentë të mëparshëm, apo ndonjë konflikt tjetër, për të cilin policia edhe mund të mos ketë qenë në dijeni.

Nga ana tjetër, vetë i plagosuri dhe dëshmitarët kanë pohuar se nuk kanë arritur t’i fiksojnë autorët që kanë qëlluar me armë.