Transmetuar më 20-03-2017, 19:04

Ne trashëgojmë bashkë me rrënimin, edhe padurimin. Është mëse e natyrshme dhe kuptueshme që njerëzit të jenë të paduruar, sepse kanë duruar 20 e ca vite, por gjërat që ne bëjmë, nuk janë të tilla që bëhen sa hap e mbyll sytë. Ato lidhen me ndërtimin e një mekanizmi kompleks, që quhet shtet, që funksion si i tërë dhe jo si një tërësi çadrash, siç ishin ministritë deri dje, ku çdo parti kishte çadrat e veta dhe çdo çadër kishte punët e veta. Edhe vetë Kryeministria apo Kryeministri ishin në punën e tyre. Është krejt ndryshe!

Nga Edi Rama

Në Britaninë e Madhe, trajtimi i shtresave në nevojë është rregulluar me një ligj të unifikuar për të gjithë Mbretërinë, në shekullin XVII. Ligji që sot e gjithë ditën mban emrin “Poor Act”.

Në Shqipëri, kur ne morëm detyrën, nuk ekzistonte një ligj i tillë. Vetëm 4 vjet më parë ishim 4 shekuj mbrapa, në raport me afirmimin në letër, si fillim, të detyrimit të shoqërisë, reflektuar përmes qeverisë, ndaj njerëzve në nevojë. Për të mos folur për kornizën e plotë ligjore dhe praktikat për trajtimin e kategorive në nevojë. Një rrumpallë e denjë për ata që për 20 e kusur vite menduan si të shtyjnë ditët dhe vitet në karrige dhe jo si me ditët dhe vitet e tyre në detyrë të bëjnë gjënë e duhur për vendin dhe për njerëzit.

Pa shkuar tek fakti që, siç ndodh rëndom, në vende të varfra dhe në vende të pazhvilluara, paratë gjithmonë janë pak, por gjithmonë shpërdorohen shumë më shumë, sesa paratë që janë më shumë dhe shpërdorohen shumë më pak në vende më të pasura dhe më të zhvilluara.

Mjafton shembulli rrëqethës i mënyrës sesi u shpenzuan paratë e ndihmës ekonomike për vite e vite të tëra dhe sesa shumë para iu hoqën nga buka e gojës të varfërve dhe njerëzve realisht në nevojë, për t’ua çuar njerëzve që nuk ishin në nevojë, por për të cilët kishin nevojë partitë. Mjafton fakti që për vite e vite të tëra, i gjithë fondi i ndihmës ekonomike iu shpërnda kryetarëve të komunave për qëllime mirëfilli elektorale, për të mbajtur lidhur një zinxhir të gjatë “skllevërish” të varfërisë, që kryqëzoheshin në marrjen e ndihmës me fotografimin e votës. 

Sot, patjetër që ndihma ekonomike është larg së qeni e mjaftueshme, që ne të flemë të qetë, por është tre herë me e lartë seç ishte dhe jo sepse u shtua tre herë më shumë fondi i ndihmës ekonomike, por sepse u hoqën nga skema e mbështetjes financiare me ndihmë ekonomike, çereku i atyre që e merrnin deri dje, ndërkohë jetonin nëpër vila, bridhnin me makina, kishin punë e rroga. Të thuash pastaj se “të gjithë janë njësoj”, apo “asgjë nuk ndryshon se këta shohim vetëm punët e interesat e tyre, vetëm zihen me njeri-tjetrin”, mund ta thuash, por është thelbësisht e pavërtetë.

Sot, në tre vjet e gjysmë janë krijuar instrumente ligjorë, administrativë, financiarë, për të ndërtuar një sistem kompakt shërbimesh shoqërore. Instrumente që kanë munguar 25 vjet me radhë.

Ne trashëgojmë bashkë me rrënimin, edhe padurimin. Është mëse e natyrshme dhe kuptueshme që njerëzit të jenë të paduruar, sepse kanë duruar 20 e ca vite, por gjërat që ne bëjmë, nuk janë të tilla që bëhen sa hap e mbyll sytë. Ato lidhen me ndërtimin e një mekanizmi kompleks, që quhet shtet, që funksion si i tërë dhe jo si një tërësi çadrash, siç ishin ministritë deri dje, ku çdo parti kishte çadrat e veta dhe çdo çadër kishte punët e veta. Edhe vetë Kryeministria apo Kryeministri ishin në punën e tyre. Është krejt ndryshe!

Sot kemi një situatë ku nuk kërcënohemi, siç ishim të kërcënuar seriozisht, në aspektin makroekonomik, nga një krizë e rëndë financiare, nga një kolaps financiar, jo vetëm për shkak të energjisë që është një histori më vete, por edhe për shkak të skemës së pensioneve. Ishte thjeshtë një patate e nxehte, që qeveritë ji kalonin njëra-tjetrës, thjesht duke shtyrë kohën e plasjes së një bombe të madhe sociale. Një reformë që, të paktën qysh kur unë kam hyrë në korridoret e politikës, është përsëritur e përsëritur nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga të gjithë ekspertët. Sepse nuk ka mundësi që të rritet numri i pensionistëve, nga një anë dhe të zvogëlohet kontributi social, nga ana tjetër, për skemën pensioneve. Vjen një moment dhe kthehet në një piramide që i zë të gjithë brenda.

Ne e bëmë reformën e pensioneve dhe evituam kolapsin. Jepeshin pensione, rriteshin pensione me papërgjegjshmërinë më të plotë, në raport me çdo të ndodhte të nesërmen. Edhe këtu ka sërish një ndryshim të madh. Ka politikanë, kryeministra, drejtues që mendojnë për mandatin tjetër dhe ka të tjerë, më pak, që mendojnë për gjeneratën tjetër. Ka që mendojnë si të mos prishen me këta apo ata, se janë të tanët, ndaj “le ta vjedhin energjinë se na duhen votat e tyre”, apo “nuk po prekim pensionet, se na duhen votat e tyre”, apo “këta çunat i kemi pa shkollë, t’i bëjmë policë, ca të tjerë t’i çojmë te ujësjellësi, se na duhen votat e tyre”.

Por ka edhe një mënyrë tjetër për të bërë që sistemi të funksionojë dhe që secili të ketë gjithmonë e më tepër mundësi, që sipas meritës të marrë atë që i takon dhe sipas nevojës t’i jepet ajo që i takon. Hoqëm pensionin tavan. Një tavan torture. Mund të kishe punuar ku dhe sa të kishe dashur e mundur, ose mund të kishe punuar shumë më pak, njësoj tavani 240 mijë lekë ishte. Nuk kishe shans të merrje më shumë. Me reformën hoqëm pensionin tavan dhe arritëm që të rrisim pensionet e atyre që hyjnë mbas reformës në skemë, deri 40%. Askush mund ta imagjinonte deri në tre vjet e gjysmë më parë, se mund të kishte një pension deri në 40% më të lartë sesa tavani!

Sikundër, kush mund ta imagjinonte që zyrat e punës të jepnin punë! Në qeverinë e shkuar janë paguar më shumë punonjës për zyrat e punës, sesa janë gjetur vende pune për ata, të cilët prezumohet se nga zyrat e punës do të marrin punë. Edhe skema e zyrave të punës ishin një skemë partie. Në fakt zyra pune nuk kishte. Zyrat e punës ishin apartamente që i merrte shteti me qira, për llogari të partisë së ministrit dhe sigurisht për miqtë e ministrit. Në më pak se tre vite, zyrat e punës, për mënyrën si është zhvilluar rrjeti, kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar, të faktuara, 26000 punësime. Ka sot në  Shqipëri, 26 mijë të punësuar nga zyrat e punës, që marrin rrogën me punë dhe paguajnë taksat në shtet. Ky është fakt! Siç është fakt që sot ka 31 mijë, - shifra e fundit, - vende të lira pune në zyrat e punës.

Nga ana tjetër, kjo ministri çeli rrugën e një revolucioni sistemik, duke rihapur krosin e arsimit profesional, që u mbyll kur ra regjimi i vjetër dhe u mendua se këtu nuk kishte më nevojë për punë, nuk kishte më nevojë për elektricistë, hidraulikë, marangozë, axhustatorë e për të gjithë llojet e profesioneve, nuk kishte më nevojë as për teknikë nafte, teknikë bujqësie, ndërtimi, se mjaftonte të çojë ndonjë lek tek Sudja dhe të bëheshin 7.

Sot, problematika kryesore e punësimit nuk është pamundësia për hapje vendesh të reja pune, por është pamundësia për krahun e kualifikuar të punës. Nuk mund t’i bëjë juristi të gjitha. U bëmë një popull juristësh, falë një sistemi universitar që prodhoi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në glob. Mirëpo nuk shkohet tek bizneset në autostradë, që kanë nga i pari tek i fundit vende të lira pune, me diplomë juristi. Ata duan frezatorë, nuk duan juristë, duan elektricistë, nuk duan juristë, duan teknologë, nuk duan juristë. Të gjithë këta zanatçinj do i nxjerrë sistemi i arsimit profesional. E filluam këtë revolucion me 3 mijë nxënës në arsimin profesional, që faktikisht ishin më të abuzuarit nga sistemi i vjetër, se nuk kishin asnjë mundësi të shkonin nëpër universitete, ku nuk mbeti njeri pa hyrë dhe quheshin me arsim profesional, por shkollat e arsimit profesional ku ishin? Shkollat profesionale nuk kishin lidhje me arsimin profesional.   

Sot, nga 3 mijë në vitin 2014, janë 27 mijë njerëz mes shkollave të arsimit profesional dhe qendrave të formimit profesional, së bashku. Është një rritje eksponenciale e numrit, ashtu sikundër e tregon qartë historia e këtyre njerëzve, që kush bën shkollën profesionale, nuk ngelet më pa punë. Statistika thonë se shanset për punësim të atyre që bëjnë shkollën profesionale janë më të mëdha se shanset e shumëkujt që mbaron universitetin, për shkak se tregu ka nevojë të madhe për krah të kualifikuar pune.

Nuk mund të vihet në diskutim dallimi i madh që ka bërë vota e vitit 2013 në mbështetjen sociale, në sensin jo vetëm të një shtrese të ripersekutuar nga ata që prezumohet se duhet t’i shpëtonin nga ankthet dhe t’i shëronin nga plagët e persekutimit, por në tërësi për njerëzit në nevojë. Këtu kam parasysh, për shembull, numri i personave me aftësi të kufizuar që janë marrë në punë është dy herë më i lartë, në raport me një vit më parë. Ndërsa në raport me 3 vjet e gjysmë më parë nuk ka krahasim, pasi as nuk i ndihmonte njeri për të gjetur punë.

Punësimi i personave me aftësi të kufizuar nuk çon në ndërprerjen e asistencës ekonomike për 4 vite e para të punësimit, për të rritur mbështetjen ndaj tyre. Po ashtu nuk imagjinohet më që shteti të mos paguajë detyrimet ndaj personave me aftësi të kufizuar. Kur erdhëm në qeveri, morëm borxhe të mëdha, të trashëguara, edhe për personat me ndihmë ekonomike, edhe për personat me aftësi të kufizuara. Para që shteti i kishte në arkën e vet nga buxhetet e miratuara në Parlament për ta dhe që faktikisht nuk kishin shkuar tek ata, por ishin bërë rrush, kumbulla e thana elektorale. Sot, personat me aftë të kufizuare jo vetëm përfitojnë pagesa të plota dhe të rregullta, por 67 mijë persona me aftësi të kufizuara, 18 mijë kujdestarë dhe 72 mijë invalidë pune kanë përfituar edhe bonuse të fundvitit.

Të gjitha këto janë shumë në raport me nga u nisëm, por janë pak në raport me sa duhet. Kemi bërë shumë, shumë ka për të bërë, por ka edhe shumë për të humbur, nëse kthemi mbrapa. Ka edhe shumë për të humbur, nëse nuk vazhdojmë me vendosmëri të çojmë përpara reformat dhe nëse nuk vazhdojmë me vendosmëri të bëjmë shtet. Askujt të mos i shkojë në mendje se nuk është e mundur, përkundrazi është shumë e lehtë. Mjafton të shkosh tek çadra në bulevard, t’iu shpërndash detyrat dhe t’iu thuash “ejani qeveriseni ju këtë vend!” dhe ju them se nuk vjen vjeshta, pa i parë sërish policët të hanë fara nëpër udhëkryqe; Nuk vjen vjeshta, pa i parë zyrat e punës të fillojnë të bëhen qebaptore dhe floktore; Nuk vjen vjeshta, pa i parë personat me aftësi të kufizuar dhe njerëzit në nevojë të fillojnë të dalin rrugëve dhe të kërkojnë nga e para të drejta, tanimë të konsoliduara; Nuk vjen më buxheti i  vitit tjetër, pa parë të fillojnë të regjistrohen borxhe të shtetit ndaj të gjithë shtresave në nevojë, ndaj sipërmarrjeve, ndaj gjithë të tjerëve.

Kjo nuk është se ndodh, ngaqë do ta bënin me qëllim. Ata nuk e bëjnë me qëllim, por ata nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër. Nuk është se e kanë me të keq, e kanë me të mirë me të veten, por ata nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër.

Duke e falënderuar përzemërsisht Blendin dhe duke qenë i bindur që Olta do të bëjë punën e duhur, sepse ka edhe fatin që e nis këtë punë me një bazë shumë të mirë. Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që janë bërë shembull edhe për ministritë e tjera, punonjësit e ministrisë dhe të institucioneve shumë të vështira për t’u administruar të kësaj ministrie, që tregojnë se kalimi nga një ministër në një ministër tjetër dhe kalimi nga një ministër në një ministre, jo vetëm nuk është traumatik, por, përkundrazi, nuk ndikon aspak në rënien e ritmit të punës dhe në performancën e suksesshme të të gjithë ekipit. Është padyshim një nga ekipet më shembullor të këtij shteti dhe për këtë, edhe njëherë tjetër, mirënjohje dhe shumë respekt.

***

Pakti i mirëqenies sociale do të jetë një tjetër histori suksesi, në një rrugë që mbetet e gjatë, e vështirë, por është e vetmja rrugë për të bërë një shtet që nuk i njeh tanimë, vetëm në letër, të drejtat e më të varfërve, të drejtat e njerëzve në nevojë, por në realitetin e jetës së përditshme dhe i bën ata të ndihen të barabartë jo në pasuri, por të barabartë në respekt dhe në vëmendje. Nëse shumë të tjerë që nuk kanë probleme ekonomike, kanë nevojë për vëmendjen e shtetit që të mos i lërë të shmangen nga taksat, këta njerëz kanë nevojë për vëmendjen shtetit që të mos i lërë të ndihen vetëm.

Mbi këtë bazë sot, më shumë se 3 vjet e gjysmë më parë, jam i bindur se për të gjithë njerëzit në nevojë ka sa të duash politikanë që dinë t’iu rrotullojnë thikën në plagë, që dinë t’iu helmojnë shpirtin, t’ju errësojnë sytë e t’ju nxisin mllef dhe urrejtje ndaj nesh. Por nuk ka të tjerë, përveç nesh, që dinë t’i kurojnë me të vërtetë plagët e tyre dhe mbi të gjitha, duke bërë reformat sot, po e bëjnë varfërinë të patrashëgueshme, një status që kalon nga babai, tek djali e nipi, sepse familja nuk arrin kurrë të dalë nga varfëria. Ne po e bëjmë varfërinë të patregueshme dhe kjo është një nga arsyet themelore për të qenë krenarë për reformat tona.

Sot, shumëkush me të drejtë thotë se ti flet kështu se e shikon se ku po shkojmë, por unë dua ta prek. E vërtetë, por, nëse nuk ecim me vendosmëri për aty ku duam të shkojmë, kurrë nuk do ta prekni atë që meritoni të prekni dhe harrojeni se mund ta bëjnë të prekshme, ata që meritojnë përçmimin tuaj, pikërisht sepse duan të bëjnë pasuri, karrierë dhe interesat e tyre me varfërinë tuaj.

* Nga fjala e Kryeministrit në nënshkrimin e Paktit të Mirëqenies Sociale