Transmetuar më 20-03-2017, 15:29

Kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka lëshuar një deklaratë të fortë sot në drejtim të kreut të qeverisë Edi Rama duke e paralajmëruar se mund të përfundojë si Duçja, por që lëkurën sipas tij po ja shpëton opozita. Në fjalën e tij Basha iu referua shkrimtarit Aurel Plasari.

"Përgjigjen më të mirë ja dha Plasari, kur tha se "mos mor djalë se do të përfundosh si Duçja. Edi Rama jemi këtu për të shpëtuar lëkurën, të mos përfundosh si Duçja, deklaroi Basha.

Por me anë të një sqarimi në rrjetin social Facebook, Plasari edhe pse nuk e përmend në emër, e akuzon Bashën se i ka shtrembëruar fjalën dhe se sipas tij ai në asnjë rast nuk i është referuar ndonjëherë faktit se Rama do përfundojë si Duçja.

Deklarata e plote e Aurel Plasarit

Një shembull i të lexuarit mbrapsht

Ja këtu sesi një miku ynë i lexon mesazhet paralajmëruese për ruajtjen e sistemit të demokracisë në Shqipëri. Nuk kam ndeshur deri më sot ndonjë politikan që të ketë deklaruar për kryeministrin “që do të përfundojë si Duçja”, siç transliteron i merakosur miku ynë!

Kam ndeshur, përkundrazi, njerëz që pa qenë politikanë kanë pasur mendjen të shprehin publikisht shqetësimin sesi shembulli famëkeq i parlamentit të Mussolinit pa opozitë NUK duhet imituar, sesi NUK duhet të përfundojë asnjë kryeministër në botë mbas mësimit historik të rastit “Duçe”, sesi një parlament pa opozitë NUK është më parlament demokratik dhe NUK mund të funksionojë dhe sesi Shqipëria europiane NUK ka se përse të rrëshqasë drejt fashistizimit për shkak të një pushteti arrogant: për shkak të cilitdo “pushtet”.

Ky është për mua të qenët i ndërgjegjshëm, në e pastë ndokush romuz për mua “ndërgjegjësimin”. Dhe tani pyetja se përse dikujt dhe ndokujt i intereson t’i lexojë dhe t’i interpretojë gjërat mbrapsht?