Transmetuar më 20-03-2017, 12:09

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Emiljano Shullazin kanë marrë përmasa të tjera. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, është thirrur për të dhënë deklarime për këtë çështje para hetuesve të organit të akuzës.

Kreu i Policisë së Tiranës ka shkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mesin e javës që shkoi, jashtë vëmendjes së medias, duke dhënë deklarime për më shumë se një orë. Lajmi është mësuar nga burime të konfirmuara të gazetës “Panorama” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, është pyetur në cilësinë e personit deklarues në lidhje me çështjen e Emiljano Shullazit.

“Objekti i marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës ka qenë dita e shoqërimit të shtetasit Emiljano Shullazi në Policinë e Tiranës, pas kërcënimit të rektorëve Dhori Kule dhe Mynir Koni”, kanë thënë burimet e gazetës.

Sipas tyre, drejtori i Policisë së kryeqytetit është pyetur në lidhje me ngjarjet e ndodhura ditën e kërcënimit të rektorëve në prill të vitit 2016.

Mësohet se gjatë qëndrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ka dhënë shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur gjatë shoqërimit të Emiljano Shullazit, si dhe komunikimin që kreu i Policisë së kryeqytetit ka pasur me eprorët e tij në lidhje me këtë rast.

Pas marrjes së deklarimeve nga drejtori i Policisë së Tiranës, burime të konfirmuara nga Krimet e Rënda thanë se i kanë nisur thirrje zyrtare edhe drejtuesit të Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahirit. “Ky shtetas është thirrur për të dhënë deklarime në një nga ditët e kësaj jave që vjen”, kanë bërë me dije burimet e hetimit. Sipas tyre, edhe pyetja e Saimir Tahirit do të bëhet në cilësinë e deklaruesit në lidhje me çështjen. Shoqërimi e më pas arrestimi i Emiljano Shullazit në prill të vitit 2016 ka shënuar një përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë.

Arrestimi i Shullazit

Kjo pasi rasti i kërcënimit të rektorëve Dhori Kule e Mynir Koni u bë publik nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi dy të dëmtuarit nuk kishin bërë kallëzim. Rektorët nuk pranuan as më pas të bënin kallëzim ndaj Shullazit, ndërkohë që Prokuroria kishte nisur një hetim në ngarkim të Shullazit dhe grupit të tij që në shkurt 2016, për akuzën e gjobëvënies ndaj disa biznesmenëve.

Ndërsa Policia e shoqëroi Shullazin për ta marrë në pyetje në lidhje me kërcënimin e rektorëve dhe po përgatitej ta linte të lirë, dy oficerë të Krimeve të Rënda paraqitën dorazi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës urdhërarrestin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky urdhërarrest kërkon mbajtjen në burg të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit, ndërsa Prokuroria, veç gjobëvënies në katër raste, i shtoi listës së akuzave edhe kërcënimin e rektorëve.

Gjykata e la më pas në burg Emiljano Shullazin me akuzën e gjobëvënies në 4 raste ndaj biznesmenëve të njohur, përvetësim trualli e ndërtesa me anë të presionit dhe kërcënimeve, si dhe për kanosje ndaj dy profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni. Kanosja ndaj tyre ndodhi në kohën e zgjedhjeve për organet drejtuese në universitete. Pas arrestimit të Shullazit, teksa ai mbahej në qeli, biznesmeni Ylvi Beqja e denoncoi atë dhe grupin e tij për gjobëvënie dhe pranoi bashkëpunimin me Prokurorinë.