Transmetuar më 19-03-2017, 09:59

Tiranë, 19 mars 2017, NOA.al- Dy persona janë ndaluar nga policia në kryeqytet, pasi lëviznin të armatosur dhe dyshohet se mund të kryenin ndonjë krim.

Shërbimet “Shqiponjat”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës, arrestuan në flagrancë mbrëmjen e djeshme, e shtunë, Gentian Muçaj, 36 vjeç, banues në Tepelenë, i dënuar më parë për rrëmbim personi dhe Mirald Meça, 28 vjeç, banues në Tepelenë, punonjës policie pranë burgut të Tepelenës.

Dy të rinjtë, janë konstatuar në aksin rrugorë Vorë -Rinas, në automjetin tip “Audi”, ku nga kontrolli i ushtruar në automjet janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë TT, me 7 fishekë dhe një armë zjarri pistoletë Grand Power, me 15 fishekë.

Nuk dihet ende pse dy të dyshuarit lëviznin të armatosur, ndërkohë që ndaj tyre vijojnë ende hetimet.

Meça dhe Muçaj akuzohen për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërkohë që në ngarkim të tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme./a.y/noa.al