Transmetuar më 18-03-2017, 12:28
Publicitet

Tiranë, 18 mars 2017, NOA.al- Nëse ke dëshirë të kujtosh një të afërm që nuk jeton më apo të shenjosh një përvjetor të bukur, mund t’i bashkohesh nismës më të re të Bashkisë së Tiranës “Dhuro një Stol”.

Në Parkun e Madh të Liqenit janë vendosur tre stolat e parë, nga qytetarë të cilët janë bërë pjesë e nismës, aktivitet në të cilin mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme për të përkujtuar të afërmit e tyre, por njëkohësisht edhe duke kontribuar për qytetin.

“Kjo është një nismë e re, ku shumë familjarë me dëshirën për të kujtuar të afërmit e tyre, kanë dhuruar një stol në ‘Shtegun e qershive’. Tani që kanë çelur edhe qershitë, është bërë një ambient shumë i bukur”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo nismë do të vijojë dhe do të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit të Tiranës.

“Mezi presim që të zbukurojmë edhe vende të tjera të qytetit, qoftë me mbjellje pemësh, qoftë me stola e dekorime, të cilat na bëjnë të kuptojmë se në Tiranë jemi një familje e madhe dhe pavarësisht se këtu jetojnë 1 milionë vetë, sillemi si një familje dhe respektojmë të dashurit tanë dhe ata që kanë kontribuar për këtë qytet”, tha ai.

Veliaj falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për ta bërë Parkun e Madh të Liqenit ë më të këndshëm.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë dhuruar pemë, stola, që kanë dhuruar punë vullnetare dhe që kanë kontribuar që ky të jetë një mjedis shumë më dinjitoz për qytetin tonë. Edhe fëmijët e vegjël kanë mësuar si mbillen pemët dhe besojmë se më shumë do e kalojmë jetën duke mbjellë pemë, se duke mbjellë sherre”, deklaroi Veliaj.

Në kuadër të nismës “Dhuro një Stol”, Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nxit qytetarët të kontribuojnë edhe për Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës. Në dispozicion të të interesuarve do të jetë modeli i stolit dhe vendndodhja e detajuar në hartë, ndërsa gjatë procesit dhuruesi do të ndihmohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Loading...