Transmetuar më 14-03-2017, 10:37
Publicitet

Në Ditën e Verës, Pazari i Ri hapi dyert për të gjithë qytetarët ku 308 biznese kanë filluar aktivitetin e tyre ekonomik duke gjeneruar mbi 1000 vende të reja pune. I pranishëm në ceremoninë e hapjes kreu i Qeverisë Edi Rama vlerësoi transformimin e thellë që ka pësuar Tirana nën drejtimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Vetëm dy vjet më parë këtu ishim 100 vjet më parë. Në një zonë ku secili përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet, i rrethuar nga pluhuri duke ecur mbi puseta të hapura, duke përballuar baltën, mizat dhe brrylat e njëri-tjetrit. Dhe vetëm sot mund të shikojmë këtu se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur.

Parafytyroni si do ishte këtu sikur në 2015 Bashkia e Tiranës të mos ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërhiste kryetari i bashkisë në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë natë për komunitetin dhe bëhen ditë natë projektet për transformimin e madh që ka filluar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky projekt është i udhëhequr me vendosmëri dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm prej tij në radhë të parë. “Unë e di se çfarë do të thotë të prishësh gjëra të vjetra dhe të bësh të reja. Dua ta mbyll duke ju thënë shumë shkurt dhe qartësisht: Që të gjithë duhet ta kuptojnë sot se janë ata njerëzit e zakonshëm që thjesht dhe vetëm me pjesëmarrjen e tyre dhe me votën e tyre kanë vendosur që ky projekt të realizohet kështu siç u realizua.

Nëse njerëzit do të kishin vendosur ndryshe, ne nuk do të ishim këtu sot dhe Ditën e Verës sot do ta festonin mizat mes njerëzve që do të kalonin mes gropave. Ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që qëndrojnë atje në mes të bulevardit dhe vazhdojnë të marrin rroga nga paratë taksave tuaja”, tha ai.

Duke uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi transformimin e Pazarit të Ri një punë fantastike. “Me punë siç tregoi ky projekt asgjë nuk është e pamundur. Nëse ka një simbolikë të madhe ky Pazar i Ri ka të bëjë me punën dhe me besimin te puna dhe te bashkëpunimi për gjëra që veç e veç nuk ia dalim dot”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë komentoi dhe çadrën e opozitës, duke u shprehur se ka ardhur koha që Shqipëria të ecë me njerëzit e punës dhe jo ata të gjumit. “Sot kemi dy Shqipëri, një Shqipëri që beson te puna dhe një Shqipëri që besonte te gjumi. Unë besoj se Shqipëria e punës është Shqipëria që sjell ndryshim. Komplet për rastësi, edhe sfondi klasik, por edhe fotoja e pazarit i ngjan një çadre, por është një çadër e punës. Nga sot fillojnë punë 308 biznese dhe 1000 vetë. Kemi humbur shumë kohë, ka ardhur koha të përveshim mëngët dhe ta çojnë Shqipërinë më lart me njerëzit e punës”, tha Veliaj./b.l/noa.al/

Loading...