Transmetuar më 10-03-2017, 20:55

Lëvizja Socialiste për Integrim lançoi Forumin Ekonomik të drejtuar nga ekspertë të fushës e që do të përgatisë një dokument strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, pasi falënderoi të gjithë ekspertët dhe personalitet e fushave të ndryshme të shoqërisë civile që i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme, u shpreh se eksperiencat e tyre është një aset me shumë vlerë për të cilin politikëbërja veçanërisht në fushën e ekonomisë ka një nevojë të madhe.

“I uroj këtij forumi suksese dhe dua të theksoj se çështja e zhvillimit ekonomik të vend është sfida më e madhe për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Është koha që për çështjet më madhore të zhvillimit ekonomik të kemi një konsensus bipartizan.

Por përpara se të flas politika sipas interesave të ditës, duhet të flasin ekspertët sepse nuk ka më kohë për amatorizëm në çështje që prekin të sotmen dhe akoma më shumë të ardhmen e vendit tonë”, – tha z. Meta, duke shtuar se vendi ka shumë kapacitete intelektuale që mund të japin ekspertiza të shkëlqyera dhe se ekonomia është përcaktuese për t’u rikthyer besimin të gjithë atyre që shohin mundësinë sot jashtë kufijve të vendit, veçanërisht më të rinjve.

“Prandaj kjo strategji zhvillimi do të ketë në fokus pikërisht rininë, punësimin e saj të qëndrueshëm dhe cilësor. Edhe nga vlerësimet e deritashme dhe të forumit ekonomik, jam bindur se mund dhe duhet të kemi ritme shumë më të larta të rritjes ekonomike. Konkurrueshmëria e ekonomisë sonë duhet forcuar akoma më tej. Eksportet gjithashtu. Raporti eksportit me produktin e brendshëm bruto është nga më të ulëtit në rajon, me rreth 29%, ndërsa fqinjët tanë shkojnë edhe mbi 50%”, – theksoi z. Meta.

Më tej, kryetari i LSI-së tha se politikat fiskale duhet të realizojnë një shpërndarje më të drejtë të peshës së tatimit mbi punën dhe kapitalin, dhe mbi të gjitha, duhet të nxisë dhe inkurajojë më shumë investimet.

“Politikat fiskale infrastruktura, thjeshtësimi i procedurave administrative, por veçanërisht siguria juridike në të bëri biznes, duhet të ketë si qëllim bërjen e Shqipërisë si vendin më të preferuar në rajon për investime. Bujqësia duhet të trajtohet realisht edhe nga ana buxhetore si dega kryesore e ekonomisë dhe sektori me potencialin më të madh për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e bilancit ekspert-import në mënyrë që tregu vendas të furnizohet me produkte cilësore të vendit, dhe njëkohësisht fermerët tanë të jenë përfitues direkt e të ardhurave nga një rritje ekonomike më të lartë”, – vijoi z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së deklaroi se një objektiv madhor i zhvillimit tonë ekonomik do të jetë investimi në kapitalin njerëzor dhe veçanërisht brezat e rinj, duke u garantuar atyre punësim të qëndrueshëm dhe të mirëpaguar në disa kategori shërbimesh si IT, financë, shërbimi administrativ, telekomunikacion, etj.