Transmetuar më 10-03-2017, 13:12

Tiranë, 10 mars 2017, NOA.al- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ditën e sotme ka firmosur një udhëzim në zbatim të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, i cili ka të bëjë me të gjitha detyrimet që do kenë subjektet private për të ofruar më shumë siguri për gjithë qytetarët.

“Në zbatim të këtij udhëzimi, çdo kategori e subjekteve përkatëse do të marrë masa, shoqëruar me Policinë e Shtetit, deri më 28 dhjetor. Dhe pas 28 dhjetorit çdo inspektim i policisë do pasohet me sanksione financiare për ata që nuk marrin masat e sigurisë që duhet”, tha ministri Tahiri, duke folur në një aktivitet për masat shtesë të sigurisë.

Në bazë të këtij udhëzimi, subjektet që ruajnë e magazinojnë lëndë të rrezikshme- radioaktive, shpërthyese, helmuese, djegëse, plasëse apo piroteknike, duhet të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë, duhet të instalojnë kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e të dhënave të targave të mjeteve, duhet të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Ministri bën me dije se këtij udhëzimi do t’i nënshtrohen subjektet që ushtrojnë aktivitetin e transportit publik të udhëtarëve, nxënësve, studentëve, autobusë, taksi, duhet të instalojnë në automjetet që shërbejnë për transportin e udhëtarëve sistem GPS; të instalojnë në ambientet e brendshme sistem me kamera të sigurisë.

“Ndërkohë që subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë natës, si lokale nate, disko pub-e e kështu me radhë, detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Instalojnë sistem me kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e tyre, pajisin punonjësit e sigurisë në hyrjet e lokaleve të natës me detektorë. Kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike, ku përveç punonjësve në hyrje duhet të kenë patjetër dhe një punonjës për çdo 40-50 konsumatorë apo për çdo 25 metra katrorë”, u shpreh Tahiri.

Në këtë linjë, deklaroi se subjektet që disponojnë lojëra fati apo kazino detyrohen që të instalojnë kamera për leximin automatik të targave të automjeteve dhe ruajtjen e tyre dhe duhet të instalojnë një sistem me kamera të sigurisë brenda mjediseve dhe të pajisin punonjësit në hyrje të subjekteve me detektorë. 

Bazuar në këtë udhëzim, institucionet arsimore publike, private të të gjitha niveleve detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë në ambientet e brendshme, në korridore dhe në perimetrin e objektit.

Sipas ministrit, administratorët e stadiumeve, pallateve të sportit, kinema, teatër, salla koncertesh dhe muze detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë dhe të kontraktojnë shoqëri private, gjithashtu dhe administratorët e bankave të nivelit të dytë detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë, pajisin punonjësit në hyrje me detektorë, kontraktojnë polici private dhe lidhin sinjalin e alarmit me sallat e komandimit të Policisë së Shtetit, vendosin në hyrje të çdo banke sistem kafazesh për diversifikimin e hyrjes në mënyrë të kontrolluar.

“Subjektet e këmbimit valutor dhe ato të tregtimit dhe përpunimit të metaleve të çmuara detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë së lartë, vendosin xhama antiplumb që ndan pjesën ku qëndron punonjësi që ofron shërbimin dhe pjesën ku mbahen vlerat monetare dhe ku i shërbehet klientit. Subjekte që administrojnë hidrocentralet, termocentralet publikë dhe privatë dhe nënstacionet elektrike detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë, pra policitë private. Administratorët e terminaleve, trageteve, aeroporteve, autobusëve, taksive dhe trenave detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, të instalojnë sistem me kamera të leximit automatik të targave të automjeteve dhe kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike”, deklaroi ai.

Ministri tha se Qendrat Spitalore Universitare dhe Rajonale shëndetësore detyrohen të instalojnë sistem me kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Po ashtu, subjektet që administrojnë kënde lojërash publike, private të mbyllura, pra në ambientet e mbyllura, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë.

Ashtu sikundër dhe subjektet që kanë në pronësi dhe administrim qendra tregtare detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, të instalojnë një sistem me kamera për leximin automatik të targave të mjeteve dhe ruajtjen e tyre deri në dy muaj, kontraktojnë polici private, ndërtojnë një qendër kontrolli në ambientet e tyre, e cila ka lidhje të drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit.

Edhe administratorët e tregjeve publike dhe private detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë.

Ministri tha se të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në vend dhe që për realizmin e veprimtarisë së tyre ekonomike në ambiente të hapur apa të mbyllura kanë mbi 50 punonjës detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

“Të gjitha subjektet që gjatë realizmit të aktivitetit të tyre financiar kanë një xhiro prej më shumë sesa 10 milionë lekë detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Administratorët e parkingjeve publike dhe private të hapura apo të mbyllura instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe ndërkohë instalojnë kamera për memorizimin e targave të automjeteve në hyrje-daljet e objektit”, tha ministri.

Po ashtu nënvizoi se institucionet shtetërore qendrore, detyrohen, përjashtuar Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit, burgjet, bashkitë dhe ato që kanë masa nga Policia e Shtetit, detyrohet që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

“Pas dakordësimit me banorët e pallateve, administratorët e çdo pallati, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mund të marrin masa për instalimin e kamareve të sigurisë në çdo hyrje pallati sipas analizës së riskut nga Policia e Shtetit. Të gjitha këto masa duhet të merren brenda datës 28 dhjetor dhe pas datës 28 dhjetor ka sanksione financiare nga Policia e Shtetit lidhur me ata subjekte që nuk do të marrin masa shtesë të sigurisë ashtu siç ndodh në të gjithë botën”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, nuk ndodh në asnjë vend të botës që njerëz me para në dorë apo në xhep, ushtrojnë aktivitet të lirë si kambist dhe pastaj kur vidhen, drejtojnë gishtin te Policia e Shtetit.