Transmetuar më 08-03-2017, 17:34

Në 8 Mars, me rastin e Festës Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shërbeu drekën të gjitha grave në nevojë, të cilat janë frekuentuese të mensës sociale në Laprakë.

Në urimin e tij për të gjitha gratë, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të rrisë vëmendjen e saj për gratë dhe njerëzit në nevojë, por shumë shpejt do të hapen edhe mensa të tjera sociale në zona të ndryshme të kryeqytetit. 

“Jam shumë i lumtur që këtë vit kemi bërë disa gjëra të mira bashkë: kemi ndërtuar këtë mensë sociale, kemi ndërtuar një tjetër në Kombinat, po ashtu edhe një në Shkozë. Shumë grupime të tjera na janë bashkuar dhe ata po përfundojnë mensa të tjera sociale, ndaj unë besoj se kemi hedhur themelet e një qyteti solidar”, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se pavarësisht problematikave dhe nevojave që ka një qytet i madh si Tirana, është shumë e rëndësishme që njerëzit të tregohen të gatshëm për të ndihmuar ata që në nevojë.

“E di se Shqipëria ka shumë halle, vështirësi, Tirana ka shumë problematika, ka nevojë për infrastrukturë, për investime, për shkolla, kopshte e çerdhe. Në gjithë këto punë, është shumë e rëndësishme që të mos humbasim njerëzillëkun e të mos humbasim ndjenjat që kemi për njëri – tjetrin dhe ndihmën që duhet të ofrojmë për secilin”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen më solidarë me njëri-tjetrin. “Kur kalojmë një moment të vështirë, s’duhet të harrojmë se dikush tjetër mund të jetë në nevojë dhe mund të na duhet që disa prej nesh që jemi këtu sot, të kthehemi dhe të punojmë si vullnetarë për të ndihmuar një zonjë që mund të jetë duke kaluar një moment të vështirë. Vetëm duke ndihmuar njëri tjetrin, mund të kemi një qytet përsëmbari dhe një qytet ku njerëzit janë solidarë”, përfundoi Veliaj./b.l/noa.al/