Transmetuar më 03-03-2017, 10:04

Kultivuesit e drogës në zonën e Kurbinit flisnin lirisht në telefon me njëri-tjetrin, duke përmendur ish-shefin e rendit në Komisariatin e kësaj zone, Ylli Vata.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën se ka bashkëpunuar me kultivuesit e drogës duke dekonspiruar aksionet e policisë dhe duke mos lejuar inspektorët e zonave që të kontrollonin parcelat me kanabis.

Sipas akuzës, oficeri i policisë Ylli Vata, si epror direkt i specialistëve të policive të zonave, ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre, si pjesë e zinxhirit kriminal dhe si bashkëpunëtor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Për të njëjtën çështje, në nëntor 2016 u arrestua edhe polici Zan Kasmi, vartës i Ylli Vatës, i cili akuzohej se u kishte nisur kultivuesve të drogës mesazhin “po vijnë dasmorët, kujdes krushqit”, duke nënkuptuar kontrollet e policisë për parcelat me drogë.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka bërë me dije se “emri i shefit të rendit të Kurbinit ka dalë gjatë përgjimit telefonik të personave që ishin pronarë të parcelave me drogë”. Në nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie, ndërsa mes tyre ishte edhe Lefter Nelaj.

Ky i fundit është përgjuar teksa flet me një pronar parcelash me drogë, i cili i thotë në një moment “Ylli jot”, duke nënkuptuar Ylli Vatën. Nga përgjimi që ndodhet në dosjen e Prokurorisë dhe në Gjykatë, i cili publikohet sot, duket qartë se pronarët e parcelave kishin informacion të saktë dhe në kohë për lëvizjet e policisë, shkruan ‘Panorama’.

“Nga hetimi është provuar se shtetasi Lefter Nelaj ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit”, bëri me dije Prokuroria. Sipas përgjimit, duket se Lefter Nelaj bisedon me pronarin tjetër të parcelave jo vetëm duke qenë në dijeni për lëvizjet e policisë, por edhe duke dalë garant për ku ata do të shkonin e ku jo.

Përgjimet mes trafikantëve

Më datë 04.08.2016, Luftari komunikon sërish me personin me numër 068xxxxx dhe mes tyre zhvillohet kjo bisedë:

A – …nga kan marrë ata?

B – Ja anej ka Venoci (kështu dëgjohet)

A – Anej aaa?

B – Po ishte Ylli jot …nuk ka hyp nolt. (Ylli Vata me makinën e policisë)

A – Ka asht?

B – Q’tu foristrad.

A – Aa a tu nejt qaty?…Po skutri (Sandër Biba)?

B – Jo, ka hik.

A – …mir pra, ik e hajt m’trego.

B – … a kan me dal q’tu masditje ata?

A – Kan për t’nalu e burr se e din vetë ata… s’e di… më mori prap dje masdite mu ai.

B – Hajt…